E shtuna do të na sjellë ndeshjen ndoshta më interesante të sezonit pranverorë në Çair, kur do të kemi super derbi e Ligës së Dytë të Maqedonisë në futboll, duke pritur si mysafire Sileksin nga Kratova
Në Çair rikthehet një derbi i madh, në mes FC Shkupi dhe Sileksit, derbi ky i cili ka qenë aktual me vite të tëra edhe kur ekipet ishin pjesë e Ligës së Parë. Skuadra e udhëhequr nga trajneri i ri dhe me shumë perspektivë, Zekerija Ramadani ka një sezon të shkëlqyer, duke pësuar vetëm një disfatë në këtë sezon, ndërsa për duelin me liderin e tabelës, skuadra pret që të vazhdojë këtë seri dhe të përforcojë pozitën që do ti garantonte ekzistencë pa brenga në Ligën e Dytë.
Për këtë ndeshje ka folur edhe një nga futbollistët më standard të Shkupit, e që në mungesë të Suat Zendelit, mbajti dhe shiritin e kapitenit, Bujamin Asani.
“Do të kishte qenë mirë nëse ndeshjen me Sileksin do ta kishim zhvilluar para tifozëve tanë, pasi përballjet me këtë skuadër gjithmonë kanë zgjuar interes. Por, tani kur po e vuajmë dënimin pa shikues, disi u adaptuam dhe siç e dini fitoret nuk po mungojnë. Shpresojmë se edhe kësaj radhe do të jetë ashtu. Jemi maksimalisht të përgatitur, atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe nuk shoh arsye se pse mos të mposhtim liderin”, deklaroi zëvendës kapiteni i Shkupit, Bujamin Asani.
Të shtunën në skuadrën e Shkupit do të kthehet pas mungesës dy javore të kapitenit dhe portierit Suat Zendeli, si dhe është rikuperuar plotësisht edhe Ardian Nuhiu. Në këtë ndeshje mungesë e vetme do të jetë Arian Bela dhe Dario Desniq. / fcshkupi.com