Skuadra e Shkupit nesër në kuadër të javës së 31 do të luajë në transfertë te Rabotniçki, ndërsa kjo është një ndeshje mjaft e vlefshme për skuadrën bardhekaltër, e cila po kërkon që nga ndeshja në ndeshje të grumbullojë sa më shumë pikë. Sigurisht se me ndeshjet e fundit ka mbetur i kënaqur edhe drejtori sportiv i klubit, Omer Bunjaku i cili ka folur për atmosferën në klub.
“Tani jemi në momente të mira si skuadër, vetëbesimi është në nivelin e duhur dhe shpresoj që do futemi 100% të përgatitur. Do i përjashtojmë të gjitha aludimet apo dyshimet, sepse ato nuk vlejnë, përkundrazi ato na defokusojnë nga objektivi ynë në këtë takim. Nesër duhet të jemi të gatshëm në secilin moment, të luajmë për shokun, të luajmë për fanellën, TË LUAJMË PËR SHKUPIN!” është shprehur Bunjaku.
Për duelin e radhës drejtori sportiv i Shkupit, ka potencuar se skuadra është në rrugë të mbarë për rezultate pozitive. “Pres një ndeshje shumë luftarake nga lojtarët e mi në këtë takim që ka rëndësi të madhe, por që nuk do të them se është edhe vendimtare! Nesër kur arbitri të fishkëllejë, nuk duhet të mendojmë as për të shkuarën, as për të ardhmen, por vetëm për ndeshjen. Presim një gjykim korrekt, shpresoj të shohim futboll të pastër dhe luftarak, sepse kjo ndeshje ka shumë rëndësi për ecurinë tutje dhe për objektivat që kanë të dy skuadrat, dhe në fund le të fitoj më i miri”, ka komentuar ndeshjen Bunjaku.
Për të dielën pritet që një numër i madh i tifozëve të udhëtojë drejt stadiumit “Arena” në qendër të Shkupit, andaj edhe Bunjaku ka thënë se ata janë shtytës të lojtarëve dhe ekipit.
“Presim numër shumë të madh të tifozëve, pasi e dimë se në secilën ndeshje ata janë lojtari i dymbëdhjetë i yni, si nga ana jonë, ashtu edhe nga stafi dhe futbollistët, kërkojmë angazhim dhe mobilizim maksimal, ndërsa edhe këtë e kërkojmë edhe nga tifozët tan”, ka thënë drejtori sportiv i FC Shkupi, Omer Bunjaku.
Ndeshja Rabotniçki – Shkupi luhet të dielën me fillim në orën 16:00.