Skuadra jonë FC Shkupi, nesër do të zhvilloi ndeshjen e xhiros së 33-të të LPFMV-së dhe të fundit për këtë sezon kundër skuadrës nga Strumica, Akademija Pandev. Kjo ndeshje do të jetë mjaft e rëndësishme për klubin dhe simpatizuesit tanë. Pas 21 viteve, FC Shkupi përsëri do të ngre trofeun e kampionit në Çair.
Festa ka filluar në të gjitha lagjet e qytetit disa javë më parë dhe do të vazhdojë edhe nesër në stadium dhe pas stadiumit, së bashku do të marshojmë drejt Sheshit “Skënderbeu”, për festën e madhe me plot emra të njohur për publikun, këngëtarë, valltarë dhe personazhe të ndryshëm, në koncertin madhështor që është organizuar nga drejtuesit e skuadrës tonë. Për faqen tonë zyrtare, në prag të ndeshjes së nesërme, kësaj radhe ka folur sulmuesi Mamadou Danfa, i cili shprehet jashtëzakonisht i lumtur që nesër do të festohet në Çair.
“Gjatë gjithë javës jemi përgatitur për këtë ndeshje. Sigurisht se skuadrën mysafire e respektojmë sepse jo rastësisht ata ndodhen në vendin e dytë, por ne të dielën do të hymë për ta fituar ndeshjen dhe më pas të festojmë së bashku me tifozët tanë. Ata janë më meritorët për këtë sukses. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre dhe jam i lumtur që nesër do të festojmë”, tha sulmuesi, Danfa.
Ndeshja Shkupi – Akademija Pandev do të zhvillohet nesër me fillim nga ora 17:00 në Stadiumin e Çairit. Gjithashtu, ju kujtojmë që dyert e stadiumit do të jenë të hapura më herët, për shkak të interesimit të madh për ta ndjekur nga afër ndeshjen dhe për të festuar titullin e katërt kampion në ligë për skuadrën tonë.