Ndeshja e javës së tretë e zhvilluar në Strumicë, ka sjellë dhe fitoren e dytë radhazi, e para në cilësinë e mysafirit. Sot ekipi ynë ka marrë fitore ndaj Belasicës, edhe pse në minuta e fundit, por me shumë vlerë, për të vazhduar me ritëm pozitiv dhe kështu tani jemi në kreun e tabelës.
Edhe pse pothuajse gjatë gjithë ndeshjes kemi dominuar kundërshtarin, në pjesën e parë rastet më të mira i kishin Glishic dhe Dembo, të cilat nuk arritën ti konkretizojnë, por kishte edhe disa gjysmë raste.
Edhe në pjesën e dytë loja ishte e tëra e përqendruar në mesfushën kundërshtare, të cilët kërkonin me çdo kusht të mbesin të pamposhtur dhe të marrin pikën e parë.
Por nga shumë raste, në fund erdhi gëzimi. Kur loja më arriti në fund, luhej minuta e parë e kohës shtesë, Darboe goditi shtyllën, ndërsa topi i kthyer u prek me dorë nga një prej futbollistëve vendas, e që arbitri tregoi në pikën e bardhë, prej ku realizoi Dembo.
Goli i dytë u shënua me një kundërsulm të shpejtë, pas degazhimit të portierit Naumovski, Gudiabi i dha një top Dembos, i cili me mjeshtri kaloi mbrojtësit dhe portierin për të shënuar golin e dytë, në minutën e tretë të kohës shtesë.
Me këtë fitore Shkupi ka 7 pikë dhe mban kreun e tabelës, ndërsa tani do të fokusohemi në ndeshjen e Europa League, ku na pret dueli me Neftchi në Baku, ndërsa ndeshja e javës së katërt do të luhet me 29 gusht në Çair, me mysafir skuadrën e Pelisterit.