Skuadra e FC Shkupit kishte një javë të ngjeshur pas vete, pasi në vetëm shtatë ditë luan ndeshjen e tretë. Në duelin e javës së nëntë ekipi futet pas një bilanci pozitiv duke regjistruar tri fitore, atë ndaj Borecit 3-0, pastaj fitorja me Akademija Pandevin në transfertë 0-1 (18.10.2020) dhe së fundmi 21.10.2020), të mërkurën fituam në ndeshjen e 1/8 në kuadër të Kupës së Maqedonisë së Veriut, duke e mundur 5-0 ekipin e Kit-Go.
Vetëm dy ditë kohë për të pushuar dhe analizuar skuadrën e Sileksit, ekip ky që të shtunën është mysafire e ekipit tonë. Skuadra ka punuar në maksimum që edhe në këtë sfidë të arrijë rezultat pozitiv, ndërsa për këtë përballje ka folur futbollisti nga Senegali, Lamine Diack.
“Nuk kemi pasur shumë kohë për pushim e as për të menduar për ndeshjet që lamë pas nesh. E rëndësishme ka qenë që kemi marrë tri fitore të njëpasnjëshme dhe jemi në formë të mirë. Sigurisht që e dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, e gjithë kjo për shkak të ndeshjeve që na vijnë njëra pas tjetër, por ne jemi të përqendruar për të arritur qëllimin tonë edhe në këtë ndeshje, që është fitorja dhe tri pikë të reja”, ka thënë Diack.
Ndeshja FC Shkupi – Sileksi do të luhet të shtunën me fillim në orën 14:30 në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari, ndërsa e njëjta do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanalet e TVM dhe Arena Sport.