Skuadra e Shkupit sot ka luajtur ndeshjen e tretë kontrolluese në Antali, ndërsa për kundërshtarë e kishte ekipin boshnjak Çeilkin e Zenicës. Pas dy barazimeve me kundërshtarë tepër të fortë si Qarabagun e Azerbajxhanit dhe FC Steel të Ukrainës si dhe stërvitjeve mjaft të rënda nga dita në ditë, te futbollistët u pa një lodhje por edhe dëshirë për të treguar lojë të mirë.
Trajneri Nuhiu vazhdon të provojë variante të ndryshme dhe paralel me ndërtimin e lojës dhe komponimin e skuadrës, përmes këtyre ndeshjeve testuese kërkon të kristalizojë formacionin startues për gjysmësezonin pranveror.
Ndeshja filloi me iniciativë të FC Shkupit, duke kontrolluar mirë mesfushën, ndërsa ekipi i Çelikut kërkonte të befasojë me kundërsulme. Fillimisht ishte Alen Jasharoski në minutën e 13-të tentoi nga jasht zona, më pas Kristijan Stojkoski kishte rast për të ndryshuar rezultatin.
Në momentin kur po luhej lojë e rrjedhshme nga Shkupi, referi amator që drejtoi këtë ndeshje, akordoi penalti që askush nuk e kishte parë, e as ndihmësit e tij, që Shishiq e shndërroi në gol.
Në ndërkohë tentim të mirë nga gjuajtja e lirë kishte Ljamçevski, por dy herë goditja e tij u ndal në murin e gjall të futbollistëve boshnjak.
Dy herë kishte ndërhyrje të palejuar ndaj Blazhe Ilijoskit që referi nuk akordoi penalti, ndërsa boshnjakët shfrytëzuan rastin e dytë kur Shkupi ishte në sulm, me një kundërsulm të rrisin epërsinë në 2:0 me golin e Nikoliq, që ishte rezultati përfundimtar.
Gjithsesi trajnerit Nuhiu kjo ndeshje i ka shërbyer për të nxjerë atë që kishte planifikuar në planprogram për këtë periudhë. Ekipi ngadalë duket se po ngritet në nivelin e duhur, ndërsa mbetet të punohet në realizimin e rasteve, pasi që deri tani efikasiteti len për të dëshiruar.
Në këtë ndeshje shkaku i një lëndimi të lehtë mungoi Muharem Bajrami, nga ana tjetër debutim solid kishte Basiliano Ndongo, ndërsa prej sot në testime është futbollisti senegalez Honore Gomis i cili luajti 45 minutat e pjesës së dytë dhe mbetet trajneri Nuhiu të minitorojë aftësitë e tija.
Ndeshjen e radhës Shkupi e luan me 2 shkurt ndaj skuadrës së Ukrainës, Chernomorest Odessa.
NK Çelik – FC Shkupi 2:0 (1:0)
Stadiumi: Qendra sportive Sueno
Shkupi: 1. Zendeli, 4.Maliqi, 7.Ljamçevski, 8. Shabani, 10.Imeri, 14. Broja, 16.Krivanjeva, 20.Adem, 23.Stojkoski, 29.Asani , 89. Jasharoski.
Luajtën edhe: 30. Mustafa, 2. Ramadani, 17. Demiri, 18. Ilijoski, 11. Ismaili
Trajner: Ardian Nuhiu
Çelik: Markoviç, Livančiç, Bevab, Kadriç, Karamatiç, Shishiç, Celik, Xhelmiç, Anxhushiç, Shantiç, Jurina.