Në fundjavë është në radhë java e 26-t e kampionatit, ndërsa ekipi ynë sot ka përfunduar edhe stërvitjen e fundit para kësaj sfide, që edhe si të tjerat është shumë e rëndësishme për skuadrën tonë.
Duelin e të dielës e luajmë në cilësinë e mysafirit, ndërsa udhëtojmë drejt Shtipit, aty ku përballë do të kemi skuadrën e Bregallnicës, një kundërshtar që lufton për të ruajtur statusin e anëtarit në elitën e futbollit.
Për këtë duel është prononcuar mesfushori ynë, braziliani Dudu Sampaio, i cili mes tjerash ka potencuar se të gjithë në ekip po japin maksimumin në përgatitje dhe dëshirojnë të marrin maksimumin e pikëve.
“Tani është koha për të parë përsëri në drejtim të kampionatit. Ne e bëmë detyrën tonë në derbin e qytetit javën e kaluar dhe ishte mirë që të fituam besimin për të marrë tri pikë të plota që po na mungonin. Me të vërtetë kishim nevojë dhe e merituam atë fitore.
Na pret një lojë e vështirë tani dhe kemi punuar shumë gjatë javës për të arritur objektivin tonë, e që janë tri pikët. Sigurisht se kjo fazë e kampionatit është shumë e vështirë, nga fakti se jemi pothuajse në drejt fundit, ndërsa ne po luftojmë në dy fronte. Një është e sigurt se të gjithë po japin më të mirën e tyre në përgatitjen, që në secilën ndeshje të marrim maksimumin”, ka thënë Dudu.
Për këtë ndeshje trajneri Zhizhoviç nuk do të mundë të bëjë llogari në shërbimet e sllovakut Pinter, i cili shkaku i pesë kartonëve të verdhë, është i detyruar të mungon.
Ndeshja Bregallnica – Shkupi luhet të dielën me fillim nga ora 15:00, ndërsa transmetim do të ketë në kanalin zyrtar të federatës në YouTube. Në këtë duel arbitër kryesor është kumanovari Nderim Tefiku.