Kampionati i Ligës së Parë të Maqedonisë nga java në javë po bëhet shumë më dramatik, ndërsa ndeshjet që po luhen fundjavë dhe mesjavë kanë shtuar edhe ritmin te futbollistët të cilët padyshim se kanë nevojë si kurrë më parë për mbështetjen e tifozëve të zjarrtë. Shkupi ka qenë i detyruar që pothuajse gjithë sezonin pranverorë që nga fillimi e deri më tani ta luajë jashtë Çairit shkaku i terrenit, por tani kur fusha është rregulluar, Shkupi po rikthehet në folenë e saj.
E mërkura sjell një sfidë shumë të rëndësishme për ekipin, ku do të përballet me Pobedën, ndërsa pikët janë shumë të nevojshme. Kryesia e klubit ka vendosur që edhe në këtë ndeshje të ofrojë të gjithë shikuesve që do të jenë të pranishëm, me blerjen e çdo bilete (që do të kushtojë 100 denar), të marrin nga një shall të skuadrës me emblemën dhe mbishkrimin SHKUPI.
Biletat do të shiten ditën kur do të luhet dhe ndeshja FC Shkupi – KF Pobeda (25.04.2018), me fillim në orën 16:00, ndeshje kjo që është e një rëndësie të madhe që skuadra të rikthehet te fitorja dhe pikët që mundësojnë stabilitet në tabelë.