Skuadra e FC Shkupit përjetoi disfatën e dytë në sezonin e ri të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, duke u mundur nga KF Shkëndija me rezultat 1-2. Kristijan Stojkoski hapi rezultatin nga penaltia, ndërsa Besart Ibraimi me 2 gola (njërin nga penaltia) vendosi fatin e këtij dueli derbi të zhvilluar në stadiumin në Çair.
Skuadra e FC Shkupi përjetoi disfatën e dytë në këtë sezon në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, edhe pse me lojën e treguar meritoi së paku një pikë në përballjen me Shkëndijën. Fillimi i takoi FC Shkupit që solli një presion të madh drejt portës së skuadrës tetovare, ndërsa i pari u kanos Basilio Ndong, që me të majtën godet skaj portës së Zahovit. Nga ana tjetër përgjigjet Shkëndija me brazilianin Zhunior, që godet ashpër , por në vendin e duhur është portieri Suar Zendeli, që devijon topin në shtyllë, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar. Pak më vonë Amrel Braxhi kërkon që të befasojë portierin mysafirë me një goditje nga distanca, por pa sukses. Besart Ibraimi ishte në aksion pak më vonë, por në duelin me Zendelin, ky i fundit del fitues. E njëjti skenar ishte edhe me Alimin, që godet brenda zonës. Shefit Shefiti kishte rast ideal për të ndryshuar rezultat në minutën e 23-të, por asisti i Micit , përfundon vetëm skaj portës së Zendelit. Dhe dënimi erdhi në anën tjetër, kur Rron Broja asiston në zonë, ndërsa Stojkoski është më i shpejtë se mbrojtja e Shkëndijës, që në fund të pengohet nga portieri Zahov, për të marë penaltinë e merituar. Nga pika e bardhë nuk gabon Stojkoski për 1-0. Skuadra tetovare pas pranimit të golit kalon në sulm dhe Ibraimi kishte rastin e parë, ndërsa në minutën e 36, arbitri kryesor Markoski akordon penalti për Shkëndijën, pas lojës me dorë të Rron Brojës në zonë. Ekzekutues i sigurt është Ibraimi. I njëjti futbollist shënon edhe golin e dytë, në minutat e fundit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë protagonisti i pjesës së parë Ibraimi solli kërcënimet e rradhës , mirëpo gjuajtja e tij nga goditja e lirë kalon jashtë kuadrantit. Në vazhdim kishim mundësi që të shohim një lojë me shumë taktizime dhe shumë ndërprerje të lojës, për shkak ndërhyrjeve të ashpra, të cilat nuk lejuan të shohim futboll cilësor, si edhe në pjesën e parë. Prej rasteve të pakta në pjesën e dytë, dallojmë edhe rastin e mysafirëve kur Bojku dhe Nafiu dolën të vetmuar para Zendelit, mirëpo i pari hyn në dribling dhe humb mundësi për golin e tretë.
Tani pason pauza dyjavore, për shkak të ndeshjeve të Ligës së Kombëve, ndërsa në sfidën e javës së 5-të, FC Shkupi do të jetë përball Vardarit në stadiumin “Filipi i Dytë”.
FC Shkupi – KF Shkëndija 1-2 (1-2)
Stadiumi në Çair
Shikues: 4000
Arbitër kryesor: Jovan Kaçevski (Strugë)
Ndihmësit: Slagjan Markoski (Gostivari), Laze Çakareski (Struga)
Kartona të verdhë: Rron Broja, Armel Braxhi, Besart Krivanjeva (FC Shkupi), Kostadin Zahov, Stenio Zhunior, Besmir Bojku, Mevlan Murati.
FC Shkupi: Suat Zendeli, Toni Tipuriç, Amir Bilali, Abdulkadir Zango (Artan Veliu 80′), Suhel Muharemi (Ermedin Adem 56′), Serzhinjo. Rron Broja, Basilio Ndong, Besart Krivanjeva (Blagoja Ljamçevski 70′), Dakour Armel Braxhi, Kristijan Stojkoski.
Trajner: Hajati Sojdash
KF Shkëndija: Kostadin Zahov, Egzon Bejtullai, Armend Alimi, Visar Musliu, Besart Ibraimi, Onur Totre, Shefit Shefiti, Mevlan Murati, Stenio Zhunior, Emin Izairi, Gledi Mici.
Trajner: Qatip Osmani