Skuadra e Shkupit gjatë ndeshjes së sotme Shkupi – Vardari, në mënyrë solemne përcolli në pension doajenin e sportit jo vetëm të klubit tonë por edhe më gjerë, profesorin e nderuar Sami Ganiu.
Në pika të shkurtra profesori i nderuar Ganiu përveç se ka dhënë djersën e tij në kalitjen e gjeneratave të reja në shkollën e futbollit të klubit tonë, ai për disa vite ishte aktiv në sportin e futbollit, fillimisht duke luajtur në klubin e tij amë, të fshatit Mateç të Kumanovës, ndërsa për disa vite ishte edhe anëtar i KF Kumanova kur kjo ekip garonte në Ligën e dytë në ish-Jugosllavi.
Pasi kreu ushtrinë Ganiu vazhdoi me studimet fakultative në Shkup ku dhe i mbaroi me sukses. Ai më pas u punësua si profesor i edukatës fizike. Ndërkaq, nga viti 1992 e deri më sot Sami Ganiu punoi edhe si trajner në ekipin e FC Shkupi, ku nga dora tij kanë dal shumë talente të futbollit. Samiu me ekipin e FC Shkupit, ka arritur që të fiton të gjithë titujt e mundur në futbollin e Maqedonisë.
Sukseset nuk munguan asnjëherë, pasi profesori Ganiu fitoi tituj të ndryshëm dhe trofe me gjenerata të ndryshme ndër vite. Duke arritur të fitoj vendin e parë në Ligën e Maqedonisë në të gjitha kategoritë futbollistike që nga fatosat e deri tek juniorët, dhe kupën e Maqedonisë me shumë gjenerata. Si gjenerata 1984, 1989, 1995 e shumë gjenerata te tjera. Gjithashtu te arriturat individuale duke u shpallur trajner i vitit nga Federata e Futbollit të Maqedonisë dhe shumë e shumë të arritura tjera.
Profesor Ganiu punoi në sferën e arsimit për shumë vite, fillimisht mësimdhënien e kishte filluar në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, që më pas të vazhdojë në çerdhen e arsimit në Shkup, në shkollën fillore “Liria”.
Modestia e tij si profesor dhe trajner u tregua edhe në deklaratën e tij të shkurtër, ku mes tjerash dha vetëm një porosi: “Porosia ime për të rinjtë është që të arsimohen, të merren me sport dhe aktivitete sportive të cilat ndihmojnë edhe në shëndet por edhe në largimin e dukurive negative të të rinjve që ndodhen kudo në botë”.
Këtë moment e ka prekur edhe të birin e tij, ish-futbollistin dhe ish-trajnerin e ekipit tonë, tani kryetar i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili e përcolli këtë moment nga tribuna e Çairit. Mes tjerash kryetari Ganiu ka shkruar edhe në faqen e tij në rrjetin “Facebook”.
“I nderuar babai im Sami Ganiu, jam krenar me ty dhe veprën tënde, me punën, përkushtimin dhe lojalitetin tënd për më shumë se 30 vite punë me fëmijë të të gjitha gjeneratave në klubin tonë të zemrës FC SHKUPIN. Faleminderim të posaçëm për kryesinë e klubit FC SHKUPI për dekoratën”, ka shkruar kryetari Ganiu.
Plaket mirënjohje dhe një fanellë të FC Shkupit i ndanë kryetari i klubit Suat Alija dhe koordinatori i shkollës së futbollit Jeton Musliu.