FC Shkupi vazhdon të jetë një ndër ekipet më të mira në Maqedoni, pasi që puna me akademinë e futbollit ka treguar suksese si në kampionatin vendor, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Gjenerata e vitit 2003 (U-13), që tani më disa ditë po qëndron në Danimarkë, ku është pjesëmarrëse e një nga turnet më prestigjioz për mosha të reja, por udhëtimi i tyre nuk ishte vetëm për turizëm, thjesht djelmoshat të udhëhequr nga trajneri Hakim Bilalli arritën të prekin majën e turneut, duke u kualifikuar në finale. Rruga padyshim se nuk ishte aspak e lehtë, pasi përballë kishin ekipe të forta nga Danimarka, Norvegjia dhe Gjermania.
FC Shkupi ndeshjen gjysmëfinale e ka luajtur të premten në mbrëmje, ku për kundërshtarë e kishte ekipin nga Norvegjia, Bøler IF. Ndeshja ishte shumë e vështirë, pasi u luajt edhe në kushte të rënd atmosferike, kur gjatë gjithë kohës moti ishte me shi. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi pa gola, 0:0, ndërsa në kohën shtesë përsëri asnjëra palë nuk arriti të zhbllokojë rezultatin, që u vendos që për finalistin të mësohet pas penaltive.
Ashtu sikurse edhe në çerekfinale hero i ndeshjes ishte portieri Hamdi Reka i cili i mbrojti dy penalti, por duke shënuar dhe një gol. Ndeshja finale luhet të shtunë në mëngjes me fillim ora 9:00. Stafi i faqes së FC Shkupi dhe kryesia e klubit i urojmë për suksesin e arritur djemve tanë dhe cilido rezultat të del në finale, Shkupi ka treguar se ka një gjeneratë të shëndoshë të futbollistëve që shumë shpejtë do të jetë ardhmëria e futbollit tonë. /fcshkupi/