Ekipi i FC Shkupi ka përfunduar kampin stërvitor në Antalia, ku zhvilloi edhe katër ndeshje miqësore, me qëlim për tu përgatitur sa më mirë për pjesën pranverore të sezonit. Pas një periudhe intensive me stërvitje dhe teste të rëndësishme, skuadra tashmë është kthyer në Shkup dhe do të vazhdojë përgatitjet gjatë javës së ardhshme për rinisjen e kampionatit.
Gjatë qëndrimit në Antalia, Shkupi zhvilloi katër përballje miqësore, duke regjistruar dy fitore dhe poaq humbje.
• Shkupi 0-2 Polonia Warszawa (Poloni)
• Shkupi 2-1 Septemvri Sofia (Bullgari)
• Shkupi 4-2 Veres Rivne (Ukrainë)
• Shkupi 0-1 Kaisar (Kazakistan)
Stafi teknik dhe futbollistët kanë shprehur kënaqësinë për kushtet optimale që ofroi kampi në Antalia, i cili u zhvillua në fusha me standarde të larta dhe me një organizim të shkëlqyer. Trajneri Alparslan Erdem gjithashtu ka theksuar rëndësinë e këtyre ndeshjeve miqësore për të konsoliduar formacionin dhe për të rritur harmoninë në skuadër.
Ekipi do të rinisë përgatitjet në Shkup nesër, për të qenë gati për ndeshjen e parë të pjesës pranverore të sezonit, e cila do të zhvillohet të dielën e ardhshme në Çair ndaj Rabotnickit.