Skuadra kampione e Maqedonisë për gjeneratën U17 e FC Shkupi, sot ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore me ftesë të skuadrës së Fenerbahçes, që ka përfunduar me rezultat 4:1. Edhe pse ishte paraparë që këto dy miqësore të zhvillohen ndërmjet gjeneratave U17, në momentin e fundit nikoqirët kanë vendosur që të paraqiten me ekipin e kombinuar të gjeneratës U21 (97/98), që ka rezultuar të ketë një diferencë të madhe.
Por përkundër faktit që shkupjanët luajtën kundër lojtarëve më të moshuar nga Fenerbahçe, treguan lojë të mirë, por duke shpërdoruar disa raste të pastra për të nxjerrë rezultat pozitiv. Sulmuesi i talentuar Musli Lika dy herë ishte në rast ideal për të shënuar, kur fillimisht në minutën e 25-të doli i vetëm para portierit, i cili ndali hovin e sulmuesit shkupjan, ndërsa e njëjta gjë u përsërit edhe në minutën e 40-të. Edhe Bujar Ilazi kishte një super rast për të shënuar, kur goditja e tij nga 20 metra përfundoi në shtyllën e portës së Fenerbahçes. Rast tjetër për Shkupin kishte dhe Halil Berisha, që nuk arriti të konkretizojë.
Golin e vetëm në disfatën 4:1 për Shkupin e shënoi Besnik Ferati, nga një gjuajtje tepër precize prej distancës 20 metërshe.
Trajneri Erkan Murseli, për ndeshjen e zhvilluar ka thënë se ka mbetur i kënaqur nga numri më i madh i futbollistëve.
“Sigurisht se ndeshja nuk ishte e balancuar për faktin se luajtëm me U21 të Fenerbahçes, por në përgjithësi djelmoshat e mi treguan lojë të mirë dhe të disiplinuar, por duke mos arritur që të shfrytëzojnë rastet që krijuan. Mendoj se kjo është një përvojë e mirë për ne dhe besoj që ky ekip ka djelmosha shumë të talentuar për të cilët do të flitet në të ardhmen e afërt për suksese të reja. Nesër luajnë ndeshjen e dytë dhe shpresoj që të tregojmë lojë të mirë në këto miqësore luksi”, ka thënë Murseli.
Ndeshja e dytë në kuadër të qëndrimit në Stamboll për miqësore me Fenerbahçen luhet nesër me fillim në orën 10:30 minuta.