FC Shkupi vazhdon serinë e rezultateve pozitive në kampionat duke regjistruar fitoren e tretë radhazi, me një tjetër triumf në derbin e qytetit ndaj Rabotniçkit. Bardhekaltërit fituan me rezultat të pastër 2-0, në një ndeshje ku dominuan nga fillimi deri në fund. Emanuel Avornyo (29’) dhe Demir Imeri (75’) ishin protagonistët e këtij suksesi, duke siguruar tri pikë të rëndësishme që e çojnë ekipin në 25 pikë, ndërsa mbetet në vendin e gjashtë të renditjes.
Ky ishte gjithashtu triumfi i tetë radhazi për FC Shkupi ndaj Rabotniçkit në stadiumin tonë, duke konfirmuar dominimin ndaj këtij kundërshtari në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi.
Rrjedha e ndeshjes
Pjesa e parë: Avornyo zhbllokon ndeshjen me mjeshtëri
Të udhëhequr nga trajneri Alparslan Erdem, djemtë bardhekaltër hynë në fushë me synimin e qartë për të marrë një fitore tjetër të rëndësishme. Që në minutat e para, Shkupi kontrolloi lojën, duke tentuar nëpërmjet Ibishit e Avornyos dhe duke e mbajtur Rabotniçkin në gjysmëfushën e vet.
Goli i avantazhit erdhi në minutën e 29-të, kur Emanuel Avornyo shënoi një gol të mrekullueshëm. Anësori bardhekaltër u gjend i vetmuar mes tre mbrojtësve kundërshtar brenda zonës dhe me një finalizim të saktë çoi topin në rrjetë për 1-0, duke ndezur atmosferën në stadium.
Pas golit, ekipi vazhdoi me dominimin, duke mos i lënë hapësira Rabotniçkit për të reaguar. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Shkupit, por me një kontroll të qartë të lojës.
Pjesa e dytë: Imeri vulos triumfin pas një asisti të shkëlqyer nga Ibishi
Me rikthimin në fushë për pjesën e dytë, Shkupi vazhdoi të ishte skuadra më kërkuese, duke synuar golin e dytë për të mbyllur llogaritë e ndeshjes. Pas disa tentativave të mira, goli i sigurisë erdhi në minutën e 75-të, pas një aksioni fantastik.
Xhemal Ibishi nga gjysmëfusha e tin dhuroi një asist të shkëlqyer me një pasim në thellësi, duke gjetur për mrekulli Demir Imerin, i cili i vetmuar nuk gaboi përballë portierit dhe shënoi për 2-0, duke vulosur triumfin e bardhekaltërve në këtë derbi.
Në minutat e fundit, ekipi menaxhoi në mënyrë perfekte lojën, duke mos i dhënë asnjë hapësirë kundërshtarit për të rrezikuar. Fishkëllima e fundit e gjyqtarit konfirmoi fitoren e tetë radhazi të Shkupit ndaj Rabotniçkit në shtëpi dhe ecurinë e shkëlqyer në kampionat, me triumfin e tretë në seri, pas atyre kundër Strugës dhe Besës së Dobërdollit.
Ecuria e ekipit dhe objektivat për vazhdimësinë
Kjo fitore e çon Shkupin në 25 pikë, duke e mbajtur në vendin e gjashtë të renditjes, ndërsa synimi mbetet ngjitja në pozitat më të larta të tabelës. Forma e ekipit është në ngritje dhe rezultatet e fundit konfirmojnë se skuadra po ecën në drejtimin e duhur.
Tifozët tanë “Shvercerat” ishin gjithashtu një faktor pozitiv shtesë në këtë triumf, duke mbështetur ekipin për 90 minuta.
Sfida e radhës
Pas kësaj fitoreje, Shkupi do të përballet me një tjetër sfidë të rëndësishme në kampionat, me çrast të dielën e ardhshme do të udhëtojmë në Strumicë e do të jemi mysafir të Brerës, ku synimi i vetëm do të jetë vazhdimi i serisë pozitive.
Ekipi startues:
Denkovski, Blazevski, Ansah, Ramani (k), Kadriu, Numan, Imeri, Liçina, Avornyo, Lazarov
Luajtën edhe:
Diene, Stojanovski, Daci, Toshevski
Golashënues:
Avornyo (29’), Imeri (75’)
Kartona të verdhë:
Ramani, Imeri, Lazarov