FC Shkupi regjistroi fitoren e dytë në kuadër të miqësoreve në Antalia, duke mposhtur ekipin ukrainas NK Veres Rivne me rezultat 4-2. Skuadra e drejtuar nga Alparslan Erdem tregoi karakter dhe lojë të bukur, duke arritur të rikthejë rezultatin nga disavantazhi 1-2, për një triumf bindës ndaj një kundërshtari që mban vendin e nëntë në superligën e Ukrainës.
Shkupi e nisi ndeshjen mirë dhe kaloi në epërsi falë golit të shënuar nga Avornyo. Pas këtij momenti, loja vazhdoi e baraspeshuar, por skuadra ukrainase arriti të përmbysë rezultatin me dy gola të shpejtë, duke kaluar në avantazh 1-2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Pavarësisht disavantazhit, djemtë e Alparslan Erdem, me fillimin e pjesës së dytë, dëshmuan përgatitjen e mirë fizike dhe taktike, duke rikthyer plotësisht rezultatin. Xhezair Avduli barazoi në 2-2, ndërsa vetëm disa minuta më vonë, Emir Yazici realizoi për 3-2, për përmbysje të plotë në favor të Shkupit. Për t’i vënë vulën kësaj fitoreje dhe paraqitjes pozitive, Xhemal Ibishi shënoi golin e katërt në minutat e fundit.
Kjo fitore është dëshmi e formës së mirë që ekipi po kalon gjatë përgatitjeve dimërore në Antalia, e dyta në tre takime miqësore, ndërsa ndeshja e fundit përgatitore do të zhvillohet më 6 shkurt ndaj ekipit Kisar nga Kazakistani, ku FC Shkupi synon ta mbyllë kampin stërvitor me një tjetër paraqitje pozitive.
Golashënues: Avornyo (32’), Avduli (57’), Yazici (77’), Ibishi (83’)