Skuadra e Shkupit ka përfunduar të fazën e dytë të përgatitjeve, të cilën gjatë 12-ditëve e realizoi në qendrën përgatitore në Ohër. Bardhekaltërit pasi kanë realizuar të hënën stërvitjen e mëngjesit, janë kthyer në Shkup, ku do të kenë dy ditë pushim, që më pas të vazhdojnë ecurinë e përgatitjeve. I kënaqur me këtë fazë pa dyshim se ka mbetur trajneri Visar Ganiu.
“Nga data 29 janar e deri më 8 shkurt kemi qëndruar në Ohër. Kushtet atmosferike me të arritur atje kanë qenë në anën tonë dhe ajo na ka mundësuar që vazhdimisht stërvitjet ti realizojmë në fushat me barrë natyral, fushë të cilën edhe ne e posedojmë kur i luajmë ndeshjet si nikoqir. Kjo na ka mundësuar që ne të adaptohemi me kohë dhe ka bërë që programin të cilin e kam hartuar, me sukses bashkë me stafin tim të realizoj”, ka thënë kryetrajneri Ganiu.
Shkupi pos seancave të rregullta stërvitore, ka luajtur edhe tre ndeshje kontrolluese, duke shënuar një fitore, një barazim dhe një disfatë.
“Kemi zhvilluar tre ndeshje kontrolluese, atë kundër skuadrës serbe Mlladost Lluçani, ku kemi luajtur 1:1 dhe në të cilën kemi treguar një lojë mjaft cilësore. Pastaj kemi luajtur kundër Teteksit, anëtarit të Ligës së dytë dhe njërit prej pretendentëve për plasman në Ligën e parë. Përkundër dominimit në fushë, këtë ndeshje e humbëm me 1:0. Në fakt lojtarët tanë dhanë maksimumin, krijuan shumë raste por mungoi realizimi, teksa kundërshtari, nëpërmjet një penaltie të dyshimtë, arriti fitore.
Derisa në miqësoren e fundit arritëm fitore me 2:1 përballë Novacit. Unë mendoj se rezultati nga këto tre ndeshje nuk ka qenë në rend të parë edhe pse të gjithë luftojnë për të bërë rezultat. Ajo që neve na nevojitet në këtë fazë është komponimi i mirë i ekipit dhe defektet apo punët destruktive që paraqiten në lojë. Është mirë që në këtë fazë të paraqiten ato dhe të njëjtët ti hetojmë dhe më pas të kemi kohë që ato ti mënjanojmë”, shtoi më tej numri një i bankinës bardheblu.
Afati kalimtar i janarit në kampionatin vendor vazhdon të jetë i hapur edhe për disa ditë, ndërsa deri më tani Shkupi zyrtarisht ka afruar tre lojtar, Sedat Berishën, Enes Akgyn dhe Filip Petkovskin, ndërsa edhe më tutje në testime mbetet braziliani Ivo Jorge Santos da Costa.
“Ndoshta pak me vonesë, pasi në fillim të përgatitjeve ne nuk kishim sjell asnjë përforcim, por pas disa ditë përgatitje angazhuam turkun me pasaportë franceze Enes Akgyn, i cili i plotësoi të gjithë kriteret dhe normat për të mbetur në klubin tonë. Gjithashtu një përforcim i madh në mbrojtje është ardhja e Sedat Berishës, dhe kuptohet sulmuesit Filip Petkovski, ndërsa vazhdon të testohet braziliani Ivo Jorge Santos da Costa. Ai po tregon mjaft cilësi dhe kualitet dhe shumë shpejt do të mësojmë edhe fatin e tij. Më vjen mirë që pikërisht në ato pozita ku kishim më shumë nevojë, qendërmbrojtës dhe qendërsulmues, u përforcuam”, përfundoi kryetrajneri Visar Ganiu, i cili edhe një herë përsëriti se synimi i stafit teknik dhe i drejtuesve të klubit mbetet ai i njëjti që ishte para fillimit të sezonit, mbetja në Ligë dhe plasmani në play-off.
Në ndërkohë, më 14 shkurt bardhekaltërit do të zhvillojnë testin gjeneral ku për kundërshtar do të kenë skuadrën e Gostivarit. Cekim, ndeshjen e parë të sezonit pranveror Shkupi në Çair do ta zhvillojë kundër skuadrës së Metalurgut. /fcshkupi/