Në ndeshjet kampionale për gjeneratat e reja, skuadrat e FC Shkupi, juniorët, kadetët dhe pionierët e rinj, kanë shënuar fitore të rëndësishme ndaj Gostivarit.
Skuadra e juniorëve e udhëhequr nga golashënuesi Fatih Jusufi kanë treguar lojë kualitative duke e mundur ekipin nikoqir me rezultat 2:1. Fillimisht për epërsinë e Shkupit kishte shënuar Fatih Jusufi, i cili ka vazhduar të dëshmohet në një nga golashënuesit më të mirë të skuadrës, ndërsa Shkupi fitoren e siguroi në minutën e 37-të, me golin e Ilir Bunjakut
“Më vjen mirë që përsëri jam në listën e golashënuesve për të ndihmuar ekipin që të jetë sa më lartë në tabelë. Ndeshjen e radhës do ta luajmë kundër Rabotniçkit, ish-skuadrës time, ku shpresoj që edhe në këtë ndeshje të jap më të mirën nga vetja për të marrë fitoren e radhës dhe të ngjitemi sa më lartë në tabelë”, ka thënë Fatih Jusufi.
Në duelin e kadetëve, Shkupi ka mundur me rezultat të pastër 0:3, ndërsa në këtë ndeshje në listën e golashënuesve u regjistruan, Agon Elezi me një euro gol nga më shumë se 25 metra, Agon Istrefi shënoi për 0:2, ndërsa vulën e fitores e vendosi goli i Lavdrim Salihasit.
Edhe ekipi i pionierëve ka marrë fitoren e radhës, duke e mundur Gostivarin me rezultat 1:0, ndërsa autor i fitores ishte Besir Ramadani i cili shënoi nga pika e bardhë në minutën e 65-të.
Në renditjen tabelare, ekipi i juniorëve (gjenerata 98) e mbajnë pozitën e gjashtë me 20 pikë, e udhëhequr nga trajneri Sami Ganiu, kadetët (gjenerata 99) janë në pozitën e tetë me 17 pikë e udhëhequr nga trajneri Halim Bilalli. Pinonerët e rinj (gjenerata 2001), e udhëhequr nga trajneri Jeton Musliu, mbajnë pozitën e tretë me 28 pikë, që është e ndjekur nga Rabotniçki dhe Metalurgu.
Pionerët (gjenerata 2000) e trajnerit Erkan Murseli mbajnë pozitën e parë me 41 pikë, e ndjekur nga Shkëndija me pesë pikë më pak dhe Vardari i treti me 10 pikë më pak.