Pas fitores në shtëpi me rezultat minimal 1:0 ndaj Tikveshit, skuadra jonë FC Shkupi nesër në transfertë, në javën e 26 të LPFMV-së, do të përballet me skuadrën e Skopjes.
Shkupi me Skopjen, u përballën dy herë në këtë sezon dhe që të dyja ndeshjet i fituam bindshëm.
Ndeshja e fundit përfundoi me rezultat 1:3 në favor të skuadrës tonë me golat e Freddy Alvarez dhe Faustin Senghor.
Në prag të ndeshjes së nesërme, për faqen tonë zyrtare foli sulmuesi Walid Hamidi.
“Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë nesër ndaj Skopjes, janë skuadër e pa përshtatshme që luftojnë deri në fund, e këtë ata e treguan me ndeshjen kundër Akademija Pandev. Besoj që ne jemi përgatitur siç duhet dhe vazhdojmë të punojmë për të arritur qëllimin tonë edhe pse në këtë ndeshje jemi favorit në letër, por në fushë do të futemi që të fitojmë dhe ti marrim tre pikët gjithmonë duke e respektuar kundërshtarin”, tha Walid Hamidi.
Skuadra e Skopjes renditet në pozitën e 9-të në tabelë me gjithsej 25 pikë të grumbulluara dhe në tre ndeshjet e fundit ata kanë fituar kundër Akademija Pandev me rezultat 1:2 në transfertë, kanë pësuar disfatë nga Shkëndija në Tetovë dhe kanë barazuar me Makedonija Gj.P. në Shkup.
Ndeshja Skopje-Shkupi do të zhvillohet nesër me fillim nga ora 13:00 në stadiumin e Autokomandës dhe e njëjta do të transmetohet në MTV2.