Të shtunën (05.10.2019) do të zhvillojmë transfertën ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 9-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Pas fitores ndaj Shkëndijës në derbi të zhvilluar xhiron e fundit, ekipi i drejtuar nga trajneri Qatip Osmani ka ushtruar nën atmosferë pozitive, duke dashur që të vazhdojë me rezultate të mira dhe fitore edhe në ndeshjet vijuese në kampionat. “Ndalesa” e radhës është ekipi nga Gjorçe Petrovi, me të cilët luajmë si mysafir, ndërsa pretendimet tona janë vetëm tri pikët dhe fitorja.
“Atmosfera në ekip është në nivel të lartë. Fitorja ndaj Shkëndijës krijoi atmosferë të mirë brenda grupit. Gjatë javës kemi ushtruar dhe jemi përgatitur mirë, pasi të shtunën na pret ndeshje e vështirë me Makedonija Gjorçe Petrovin. Gjithsesi, ne jemi gati edhe për këtë takim dhe shkojmë për të fituar edhe tre pikë ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit”, tha mbrojtësi Darko Ilieski.
Për ndeshjen ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, trajneri Osmani nuk do të mund të llogaritë në shërbime e mbrojtësit Mevlan Adili, i cili nuk do të mund të luaj për shkak kartonave, ndërsa të gjithë tjerët janë në dispozicionin e stafit teknik. Takimi me Makedonija GJP e luajm të shtunën në stadiumin në Gjorçe Petrov, duke nisur nga ora 15:00.
Ky do të jetë edhe takimi i fundit i ciklit të parë në elitën vendore, ndërsa në vijim kemi dy javë pauzë në kampionat për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese.