Të dielën në stadiumin e Çairit skuadra e FC Shkupit do të luajë ndeshjen e parë të sezonit të ri para publikut vendas, ndërsa kundërshtarë është Pobeda nga Prilepi. Në kampin bardhekaltër mbizotëron atmosferë pozitive, ndërsa gjatë paradites së sotme ekipi ka zhvilluar dhe stërvitjen e fundit.
Për duelin e të dielës ka folur sulmuesi Bllazhe Ilijoski, i cili mes tjerash ka thënë se ekipi i Pobedës është skuadër e fortë, por në Çair kërkon pikët e plota dhe fitore.
“Sigurisht se është fillimi i kampionatit dhe shumë ekipe kanë ndryshime si në kuadrin e futbollistëve ashtu edhe në stafin e trajnerëve. Presim që ndeshja ndaj Pobedës të jetë mjaft e vështirë, duke e ditur se bëhet fjalë për një ekip që posedon kualitete. Por kur e marrim parasysh faktin se ne luajmë në fushë nikoqire, atëherë gjithmonë kemi një epërsi minimale, duke e ditur se kemi mbështetje të pa rezervë nga ta. Sikurse në të gjitha përballjet, edhe të dielën do të japim maksimumin për të marrë fitoren e parë sezonale edhe atë pikërisht para tifozëve tanë”, është shprehur sulmuesi Bllazhe Ilijoski, i cili në ndeshjen ndaj Sileksit shënoi golin e vetëm dhe të barazimit për Shkupin në këtë sezon.
Për duelin e të dielës, nuk do të luajë Ermedin Adem që u ndëshkua me karton të kuq ndaj Sileksit, ndërsa shkaku i dokumentacionin mbeten ende jashtë ekipit Armel Bradji dhe Sergio, ndërsa në momentet e fundit trajneri Ramadani do të vendos për Ljaçevskin që ishte i lënduar.
Ndeshja Shkupi – Pobeda do të luhet të dielën në stadiumin e Çairit me fillim prej orës 17:00, ndërsa drejtësinë në këtë sfidë do ta ndajë referi Petar Mantev nga Negotina.