Java e 17-të e Ligës së Parë zhvillohet këtë fundjavë, ndërsa ekipi ynë në këtë përballje për kundërshtar ka skuadrën e Shkëndijës nga Tetova.
Për këtë ndeshje nuk kishte kohë për pushim, pasi dhe në mesjavë kishim lojë, ndërsa ekipi ishte mysafir në Strumicë në duelin që e mbyllëm në barazim 0-0 ndaj Gostivarit.
Në stërvitjen e fundit ekipi ka një atmosferë të mrekullueshme dhe e gatshme e pret sfidën e radhës. Kështu ka thënë edhe kapiteni i skuadrës, portieri Artan Iljazi.
“E kemi parasysh se ishte një sezon mjaft i gjatë për ne, duke marrë parasysh edhe ndeshjet evropiane, pastaj jemi ende në garën e Kupës, si dhe në kampionat kemi luajtur shpesh edhe në mesjavë dhe kjo ka bërë që të harxhojmë mjaft energji. Dua të them se në ekip mbretëron atmosferë pozitive dhe të gjithë po japim maksimumin në secilën ndeshje. Të dielën në Çair e presim Shkëndijën me të cilët ndajmë pozitën e parë në renditje, por jemi përgatitur maksimalisht edhe për këtë përballje. Padyshim se ne do të kemi edhe lojtarin e 12-të, “Shvercerat” dhe uroj që tre pikët të mbeten në Çair dhe të bëjmë përsëri diferencën në tabelë”, ka thënë Iljazi.
Në pesë ndeshjet e fundit që kemi luajtur në kampionat ndaj Shkëndijës, kemi dy fitore dhe tre barazime, ndërsa drejtësinë në këtë përballje do ta ndajë arbitri nga Kërçova, Aleksandar Grujoski. Ndeshja Shkupi – Shkëndija luhet të dielën në Çair me fillim në ora 13:00.