Dy futbollistët e rinj të FC Shkupi, Besart Krivanjeva dhe Omar Imeri do të jenë pjesë e eliminatoreve evropiane të vitit 2019, për futbollistët e moshës deri më 21 vjeç, që do të zhvillohet në Itali. Përzgjedhësi i Maqedonisë U21, Blagoja Milevski, sot shpalosi listën e futbollistëve U21 për sfidat me Rusinë dhe Austrinë. Në mesin e të ftuarve janë mbrojtësi Besart Krivanjeva dhe mesfushori Omar Imeri, të cilët ishin pjesë e grumbullimit të mëparshëm të Milevskit.
Duket se Krivanjeva dhe Imeri, pas sfidës miqësore me Rabotniçkin (0-2) , kanë plotësuar kriteriumet e përzgjedhësit Milevski, andaj nuk ka munguar edhe ftesa për ndeshjet eliminatore. Maqedonia U21, sfidën e parë do të zhvillojë më 23 mars në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” , ndërsa më 27 mars , në transfertë, do të përballen me Austrinë U21. Grumbullimi i futbollistëve të rinj do të jetë të hënën (19 mars) në orën 11.00, në hotelin “Grand Plaza”, ndërsa pasdite do të zhvillohet stërvitja e parë.