Shkupi ka shënuar fitore minimale por me shumë vlerë, pasi që me tri pikët e arkëtuara mbetet në garë për një pozitë që do ta dërgojë në garat evropiane. Golin e fitores në këtë ndeshje e shënoi mesfushori Besar Iseni i cili mes tjerash ka thënë se kjo fitore është meritë e gjithë ekipit.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, dy ekipet luajtëm mirë, por në fund tri pikët mbetën në Çair. Kjo ndeshje ishte e një rëndësie të madhe për ne që të mbetemi në hap për pozitën e tretë dhe të katërt, andaj edhe loja ishte shumë taktike nga dy ekipet. Edhe pse unë e shënova golin, fitorja është e përbashkët, pasi që të gjithë dhamë maksimumin. Shpresoj që të vazhdojmë me paraqitje të mira dhe të marrim rezultat pozitiv edhe në ndeshjet e radhës”, ka thënë Iseni.
Me këtë fitore Shkupi mbetet në pozitën e katërt me 42 pikë, pesë më pak se Akademija Pandev e treta. Ndeshjen e radhës Shkupi e luan të shtunën në Tetovë ndaj Shkëndijës.