Skuadra e FC Shkupi të shtunën do të ketë një ndeshjet tjetër të vështirë, pasi që nga fillimi i sezonit pranveror, orari ishte i tillë që përballë skuadrës bardhekaltër soli skuadrat që ishin pretendentë kryesor. Përballja e javës së 23-të, sjell duelin me ekipin shqiptarë, Shkëndijën e Tetovës, ekip kjo që është në garë për titullin e kampionit.
Sigurisht se atmosfera në klub bënë që Shkupi të tentojë edhe në këtë ndeshje të del e pamposhtur, duke kërkuar të mbajë ritmin pozitiv pa disfatë në sezonin pranveror.
Një nga futbollistët që shihet si ardhmëria e klubit, Besar Iseni pas lëndimit që kishte marrë në fazën përgatitore ka nisur që të kthehet në formën e tij të mirë dhe nga ndeshja në ndeshje po tregon kualitetet e tija.
“Padyshim se jam i kënaqur që kam arritur të kthehem i fortë pas lëndimit që kisha, tani më dua të koncentrohem në ndeshjet që na vijnë, ku dihet se në dy ndeshjet e radhës luajmë kundër ekipeve që pretendojnë titullin e kampionit. Ne e kemi thënë se nuk do të dorëzohëmi para asnjë kundërshtari dhe kërkojmë që këtë sezon të arrijmë pozitë sa më të lartë në tabelë. Edhe pse e kemi mësuar që sivjet nuk do të luajmë në Evropë, ne kemi thënë se çdo sukses dhe çdo pikë të fituar, do tua dedikojmë tifozëve tanë “Shvercerave”, të cilët në asnjë moment nuk na lanë vetëm, edhe në ditët kur të gjithë kishin “hequr” dorë nga klubi. Për duelin kundër Shkëndijës mund të them se nuk do të jetë lehtë, pasi bëhet fjalë për ekip kualitative, por ne kemi ditur që të tregohemi të fortë me të gjithë kundërshtarët, andaj të shtunën do të japim maksimumin që të mbesim të pamposhtur”, ka thënë talenti Besar Iseni.
Shkupi në ndeshjen me Shkëndijën padyshim se do të jetë e hendikepuar pa dy futbollistët e mbrojtjes, siç janë Sedat Berisha dhe Mevlan Murati, të cilët nuk kanë të drejtë loje. Mungesë këtë javë ishte edhe angazhimi i kapitenit tonë Suat Zendeli, në seminarin në Beograd dhe mungesa e tij në stërvitje, ka vënë në dilemë trajnerin nëse do ta angazhojë Zendelin. Trajneri Visar Ganiu nuk ka preferuar deri tani të bëjë publik ekipin i cili do të përballet me kundërshtarin, duke e bërë atë si zakonisht vetëm pak para fillimit të ndeshjes.
Ndeshja Shkëndija – FC Shkupi luhet të shtunën me fillim në ora 14:00, në stadiumin e qytetit në Veles. /fcshkupi/