Futbollistët e FC Shkupit edhe më tutje po shfrytëzojnë ditët e pushimit, pasi që së shpejti pritet dhe grumbullimi i parë për të nisur faza përgatitore fillimisht për ndeshjet kualifikuese të Ligës së Evropës, e më pas edhe për sezonin e ri futbollistik në vendin tonë.
Por kryesia nuk ka pasur kohë për pushim asnjë ditë, pasi që tani kanë nisur planet për ardhjet e reja në klub. Emri i parë që i është bashkuar ekipit bardh e kaltër, është 23 vjeçari Fatjon Jusufi, i cili me Shkupin ka nënshkruar kontratë një vjeçare, me opsion për ta vazhduar atë edhe për një vit tjetër.
“Është kënaqësi dhe nder të vesh fanellën e një klubi historik dhe të madh si Shkupi. Mendova të vazhdoj karrierën te Shkupi sepse më përshtatet filozofia e tyre dhe më pëlqen projekti që kanë. Shpresoj që të përsërisim së bashku sukseset e viteve të fundit edhe në vijim me Shkupin dhe sukseset të mos kenë të ndalur” është shprehur menjëherë pas firmosje së kontratës Jusufi.
Fajtoni karrierën e tij si futbollisti profesionist e ka nisur me ekipin e Renovës, që më pas të kalonte te ekipi i Partizanit të Tiranës, ndërsa sezonin që lamë pas ishte pjesë e ekipit Shirak Gyumri të Armenisë. Jusufi luan në pozitën e sulmuesit të krahut të majtë, por shpesh herë ai mundë të luajë edhe në krahun e djathtë si dhe qendër sulmues.
Jusufi është përforcimi i parë i këtij afati kalimtarë, ndërsa ditëve në vijim priten dhe prezantimet e përforcimeve tjera të mundshme në klub.