Të shtunën do të jemi mysafir të Vardarit, rivalit të hidhur, me të cilën skuadër tashmë 6 ndeshje me rradhë nuk dimë për disfatë. Për më tepër në 5 ndeshjet e fundit kemi arritur po aq fitore, me një gol-averazh impresionues 11:0.
Një seri e bukur kjo e skuadrës tonë, që kishim dashur ta vazhdojmë, duke regjistruar edhe një fitore tjetër. Në prag të këtij takimi shumë të rëndësishëm, ka folur futbollisti sulmues i krahut, Florian Kadriu, që për momentin po gëzon një formë shumë të mirë.
“Ndeshja kundër Vardarit është një ndeshje e madhe. Vetë kundërshtari na tregon se duhet të japim më shumë se maksimumin, unë mundohem që çdoherë të bëjë performancë të mirë, shpresoi të vazhdojë me këtë ritëm edhe të bëjë më të mirën për ekipin.”
🎤 Pozitat momentale…
“Ndeshja kundër Vardarit është derbi, s’ka rëndësi se çfarë pozite janë ato, këto ndeshje gjithmonë kanë interesim të madh, e kemi përgatitur ekipin, e dimë se çka kërkohet, ‘Shvercerat’ duan vetëm fitore, ne do japim më të mirën në fushë dhe shpresoj të gëzojmë me fitore.”
🎤 Presioni…
“Çdo ndeshje ka presionin e vetë, mirëpo në ndeshjet kundër Vardarit, pa dyshim se është edhe më i madh. Këto ndeshje janë disi më të veçanta, edhe për tifozët, edhe për qytetin, thjesht një derbi, pavarësisht ambicieve, apo pozitave momentale. Me trajnerin kemi punuar shumë mirë gjatë këtyre ditëve. Besoj se e kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe gjithçka rreth tyre. Do të futemi në fushë si luftëtarë të vërtetë, me qëllim që të marrim maksimumin nga kjo ndeshje.”