Për duelin ndaj Kozhufit është prononcuar mbrojtësi Leonard Kallaba i cili mes tjerash ka potencuar se Shkupi në asnjë ndeshje deri më tani nuk është futur me kalkulime dhe se të gjithë kundërshtarët i ka respektuar, gjë që edhe ka sjellë suksesin e deritanishëm.
“Ne gjithmonë në çdo ndeshje futemi për fitore, qoftë në terren vendas ose mysafir.
E dimë që nuk do të jetë lehtë në duelin ndaj Kozhuvit, andaj kemi qenë të koncentruar dhe të përqendruar maksimalisht për këtë ndeshje, duke mos i nënvlerësuar ata. Gjatë gjithë javës kemi punuar mirë dhe jemi përgatitur maksimalisht, duke shpresuar se do të kthehemi me fitore”, ka thënë Kallaba.
Para ndeshjes është prononcuar edhe trajneri Ramadani i cili ka thënë se skuadra është maksimalisht e përgatitur, ndërsa i vetmi “problem” është se do të ketë konkurrencë të madhe për të formuar njëmbëdhjetëshen e parë.
“Kemi një problem të ëmbël, pasi që këtë javë kemi konkurrencë të madhe se të gjithë futbollistët i kemi në disponim për këtë duel dhe do ta kem të vështirë që të formojë ekipin që do të nisë ndeshjen”, ka thënë Ramadani.
Shkupi në ndeshjen e fundit kampionale ka mundur Euromilkun, ku në këtë ndeshje mbrojtësi Dimitrija Llazarevski ka ripërtërirë lëndimin dhe paraqitja e tij ndaj Kozhuvit është në dyshim, ndërsa në këtë javë pritet të jetë gati Erkan Seferi i cili ka munguar në dy ndeshjet e fundit. Dueli në mes Kozhuvit dhe Shkupit do të luhet në stadiumin e Miravcit, ku sipas informatave ky stadium ka një fushë më të mirë dhe pritet një ndeshje kualitative. / fcshkupi.com/