KOMUNIKATË ZYRTARE

FC Shkupi përmes kësaj komunikate zyrtare dëshiron të njoftojë opinionin publik për ngjarjet e ndodhura në ndeshjen me KF Shkëndija, të luajtur të mërkurën (08.12.2021) në Stadiumin e Çairit, në kuadër të xhiros së 17-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.


Në përgjigje të reagimit të publikuar nga skuadra e KF Shkëndija për ndeshjen e zhvilluar dje, theksojmë se kryesia dhe i gjithë stafi i klubit tonë Shkupi, distancohet dhe i dënon veprimet e tilla, ku lojtarët, stafi teknik dhe arbitrat ofendohen apo sulmohen në ndeshjet futbollistike në vendin tonë, qoftë në fushën dhe tribunat tona, qoftë kur jemi mysafir.
Edhe pse qëndrimi juaj apo reagimi juaj në disa raste nuk është i saktë, po e ritheksojmë që ne distancohemi nga veprime të tilla edhe pse ndonjëherë është mjaft e vështirë të kontrollohet situata në stadiume të stërmbushura dhe kjo gjë ndodh në të gjithë botën dhe jo vetëm tek ne.
Gjithsesi, ju ishit dëshmitarë, që kryesia e klubit tonë dhe organizatorët e kësaj ndeshje, gjatë gjithë kohës kërkonin dhe kujdeseshin, që situata të jetë nën kontroll dhe të mos ketë incidente.

Sa i përket arbitrit, nuk i konsiderojmë të sakta komentet dashakeqe të bëra për të, sepse e gjithë Maqedonia e pa me sytë e vet, se sa korrekt ishte arbitri në ndeshjes Shkupi – Shkëndija.
Në shumë raste, klubet kundërshtare të KF Shkëndija, e kanë përmbyllur pjesën e parë të ndeshjes me një lojtar më pak, të ndëshkuar me kartona të kuq, janë dëmtuar gjatë 90 minutave dhe nuk kemi dëgjuar për ndonjë reagim edhe të gjitha këto ndeshje i ka fituar skuadra nga Tetova. Por, kur rezultati është barazim dhe mbeten 8 pikë largë liderit, ata reaguan kundrejt arbitrit të ndeshjes, duke e konstatuar si referim skandaloz.

Nëse flasim për atmosferën e krijuar në ndeshjen e djeshme në Çair, ne në asnjë moment, nuk po i mohojmë disa nga veprimet që ju i keni përmendur, por, duhet të kemi kujdes dhe ta analizojmë situatën ashtu siç është dhe jo siç na konvenon.

– Reagimi nga publiku jonë erdhi kur lojtarët tuaj filluan të provokojnë apo të ofendojnë dhe për këtë duhet ta pyetni lojtarin tuaj, Dashmir Elezi dhe shpresojmë të tregohet i sinqertë.

– Reagimi nga publiku jonë erdhi kur lojtarët tuaj Egzon Bejtullahu dhe Jan Krivak, për një moment e harruan futbollin dhe filluan të merren me të pranishmit në tribuna dhe për këtë duhet t’i pyetni ata para se të reagoni.

– Stadiumi jonë është i bukur, i ngjanë një stadiumi evropian, i stërmbushur me simpatizues të Shkupit, nën një atmosferë fantastike, me të gjitha kushtet e nevojshme dhe i plotëson të gjitha kushtet për sigurimin e lojtarëve, stafit dhe drejtuesve, në rast se ata janë vetëm lojtarë dhe jo provokatorë.

– Në ballë të tifo-grupit tonë, dy flamujt kombëtar asnjëherë nuk kanë munguar dhe asnjëherë nuk do të mungojnë dhe askush nuk mund ta mohojë patriotizmin, kulturën dhe edukatën e tyre.
Nga tribuna e Shvercerave, asnjë shishe nuk është hedhur në fushë.

Ndërkohë, në stadiumin në Tetovë, në ballë të tifo-grupit tuaj, në ndeshjet me Shkupin, vendoset një flamur apo një transparent, ku shihet një majmun, por nuk kemi menduar të reagojmë ndonjëherë për racizëm.
Në shkallët e tribunave të stadiumit në Tetovë, në çdo ndeshje, gjatë 90 minutave, është kënduar për gratë dhe motrat tona, më shumë se për Shkëndijën dhe për këtë jeni të vetëdijshëm edhe ju.
Në Tetovë, lojtarët tanë janë goditur me mjete piroteknike dhe jo vetëm me shishe apo me gjësende tjera të forta, por asnjëherë nuk kemi reaguar.
Pra, përkundër vullnetit të mirë dhe respektit që e treguam ndaj kundërshtarit tonë, të cilin e duartrokitëm në ndeshjen e fundit që e luajtëm në vitin e kaluar, nuk duhet të harrohen fyerjet dhe ofendimet ndaj drejtuesve dhe futbollistëve tanë dhe ofendimet ndaj familjarëve të tyre në ndeshjet e zhvilluara në Tetovë.

Ftojmë klubin KF Shkëndija, që të jetë më konstruktiv në deklaratat që kanë bërë dhe do të bëjnë në të ardhmen.
Drejtuesit e kësaj skuadre duhet të jenë më të matur në deklaratat apo reagimet e tyre që të mos prishet paqja mes dy skuadrave tona.

FC Shkupi
09.12.2021
Çair, Shkup.

2021/22

KAMPION TË MAQEDONISË SË VERIUT

1998/99

KAMPION TË MAQEDONISË

1999/00

KAMPION TË MAQEDONISË

2000/01

KAMPION TË MAQEDONISË

1995/96

FITUES I KUPËS SË MAQEDONISË

1999/00

FITUES I KUPËS SË MAQEDONISË

2003/04

FITUES I KUPËS SË MAQEDONISË

SPONZORËT