Skuadra e Shkupit sot ka zhvilluar stërvitjen e parë zyrtare në Gymri të Armenisë, në stadiumin ku edhe do të luhet ndeshja e nesërme në kuadër të xhiros së parë kualifikuese të Ligës së Evropës, ndaj ekipit të Pyunik-ut.
Përshtypjet për përgatitjet dhe ndeshjen e nesërme i kanë shpalosur trajneri Umit Karan dhe kapiteni Muharem Bajrami.
“Fillimisht dua tu them faleminderit lojtarëve të mi të cilët u treguan profesionist, pasi që nuk ishte lehtë për të arritur deri te ky hotel, pasi kemi pritur më shumë se katër orë në aeroport. Kemi punuar shumë për ndeshjen e nesërme. Kur e mora ekipin në nëntor dhe ishte në pozitën e fundit, të gjithë thonin se Shkupi do të jetë në Ligën e Dytë, por unë besova në lojtarët e mi dhe punuam shumë për të arritur deri te kjo ndeshje. Ekipi im është me karaketr të fortë, me zemër dhe me talent, por më e rëndësishmja në ekipin tim është që ne ndjehemi si një familje. E di që ekipi i Pyunik-ut është skuadër e mirë dhe janë ekip favorite në këtë ndeshje dhe ndoshta ne na mendojnë si një ekip e vogël, por futbolli luhet në terren. Ata ndoshta e kanë fituar Vardarin dhe ekipe tjera nga Maqedonia, por unë besoj në lojtarët e mi dhe karakterin e tyre dhe nëse luajm kompakt si ekip, do të kemi shans të mirë për ndeshjen e dytë”, ka thënë trajneri turk i Shkupit, Umit Karan.
Gjithashtu ka folur edhe kapiteni i skuadrës, Muharem Bajrami, i cili ka potencuar se Shkupi kërkon rezultat pozitiv në dy ndeshjet ndaj Pyunik-ut.
“Kemi punuar me intesitet të lartë gjatë kësaj faze përgatitore pasi që na presin ndeshjet e Ligës së Evropës, që dallojnë nga ato kampionale. E kemi parasysh se në ndeshjen e nesërme luajmë me një kundërshtar mjaft të organizuar, pasi që secilën sezon ata luajnë në Ligën e Evropës apo Ligën e Kampioneve. Këto tetë ditët e fundit kemi analizuar kundërshtarin dhe normal që i dimë pikat e forta dhe të dobëta të tyre dhe do të mundohemi që gjatë ndeshjes së nesërme të shfrytëzojmë dobësitë e tyre, që të arrijmë këto dy ndeshje rezultat pozitiv dhe të dalim si fitues. Jemi sakrifikuar gjatë gjithë kampionatit për këto ndeshje dhe e presim me padurim duelin e nesërm”, ka thënë kapiteni Bajrami.
Ndeshja Pyunik – Shkupi luhet në stadiumin e qytetit Gyumri me fillim në orën 15:30 sipas kohës tonë.