Bolu, Turqi – Ekipi i FC Shkupi ka zhvilluar sot ndeshjen e parë kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore për sezonin e ri, duke u përballur me ekipin turk të Gençlerbirliği, që luan në Ligën e Parë të Turqisë. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2, duke treguar një performancë premtuese për ekipin nga Shkupi.
Golat për FC Shkupi ishin vepër e sulmuesit Gronner, i cili shkëlqeu në fushë. Gronner hapi serinë e golave në minutën e 53-të, duke e çuar ekipin në epërsi 1-0. Më pas, ai sërish ishte protagonist në minutën e 84-të, duke realizuar për 2-1 dhe duke rikthyer epërsinë për ekipin tonë.
Megjithatë, në minutat e fundit të ndeshjes, arbitri dha një faull që shumëkush e konsideroi të padrejtë. Gençlerbirliği e shfrytëzoi këtë mundësi dhe pas krosimit topi goditi Serafimovin që me autogol u barazua rezultati në 2-2, duke i lënë kështu të dy ekipet të ndahen pa fitues nga kjo përballje kontrolluese.
Trajneri Ernest Gjoka i dha mundësi pothuajse të gjithë futbollistëve të tregojnë kualitetet dhe formën e tyre në këtë ndeshje, duke e konsideruar këtë si një mundësi të mirë për të vlerësuar gjendjen fizike dhe taktike të ekipit.
Ndeshja e radhës kontrolluese për FC Shkupin do të zhvillohet më 22 korrik, ku do të përballemi me ekipin Merv. Ky do të jetë një tjetër test i rëndësishëm për trajnerin Gjoka dhe ekipin, në përpjekjen për tu përgatitur sa më mirë për sezonin e ri që po afron.