Skuadra e FC Shkupi në dy javët e ardhshme do të jetë pa mbrojtësin e fundit, Dimitrija Llazarevski, i cili në ndeshjen e të dielës ndaj Pelisterit (1:0), kishte tërheqje të muskulit në pjesën e pasme të këmbës. Pas ekzaminimeve mjekësore, është konstatuar se Llazarevskit së paku do ti duhen dy javë për tu rikthyer në fushë.
“Kam bërë incizimet e para sot dhe nesër do të duhet të bëjmë edhe incizimin e dytë për të marr përgjigje më të saktë rreth lëndimit, por ajo që më është thënë nga stafi mjekësor, do të më duhet së paku të pushoj në dy javët e ardhshme. Ndjehem keq shkaku që pikërisht në kohën kur jemi në formë të mirë të rezultateve pozitive do ti mungoj skuadrës, por mendoj se kemi një ekip, ku secili mundë të zëvendësojë tjetrin. Shpresoj që ekipi të vazhdojë me paraqitje të mira, ndërsa mendoj se do të kthehem edhe më i fortë në ndeshjet e ardhshme”, është shprehur për portalin zyrtar të klubit Llazarevski.
Të përkujtojmë se pikërisht mbrojtësi Lllazarevski ishte një nga armët kryesore të ekipit duke qenë edhe autor i disa golave vendimtar, por edhe një nga shtyllat e mbrojtjes. Ndeshjen e radhës Shkupi e luan të mërkurën ndaj Bregallnicës në Shtip, me fillim në orën 16:00.