Në kuadër të javës së 13-të u mundëm në Çair, pasi goditja e sulmuesit Mashike nga afërsia në minutën e 68-të, doli të jetë e mjaftueshme për Gostivarin që të marrë pikët e plota.
Goditja e sulmuesit nga Kongo, rezultoi të ishte momenti kyç në një ndeshje me pak mundësi shënimi, me rastin tonë më të mirë të Fabrice Tamba gjatë pjesës së parë, kur vetëm falë intervenimit të shkëlqyer të portierit mysafir, neve nuk pamë veten në avantazh.
Drama e vërtetë ndodhi në minutat e fundit, kur Hamza Ramani shumë lehtë mund të ndodhte që të shënonte golin e barazimit, kur pas një goditje nga krahu i djathtë, mund të befasonte portierin mysafir, i cili devijoi topin në rivënie nga këndi.
Edhe minutat shtesë të takimit në dy raste shkaktuan tollovi para portës mysafire, mirëpo goli sërish mungoi.
PJESA E PARË
Ndeshja nisi me matjen e forcave, teksa ishim neve të parët që rrezikuam portën kundërshtare, kur në minutën e 11-të rrezikuam seriozisht përmes Fabrice Tamba, që mjaft mirë reagoi para portës kundërshtare, mirëpo edhe më mirë intervenoi portieri mysafir, Ersu Erten.
Ishte Guxhufi, ai i cili në minutën e 24-të pati një rast të mirë për të shënuar, mirëpo edhe përkundër hapësirës së mjaftueshme që pati, nuk arriti që të godas brenda trekëndëshit të portës mysafire.
Guxhufi edhe njëherë tjetër u shfaq i rrezikshëm, këtë herë në minutën e 32-të, mirëpo sërish mungoi finalizimi.
PJESA E DYTË
Pjesa e dytë nisi me të njëjtë aktorë, ndërsa zëvendësimet e para ndodhën pas një ore lojë, kur trajneri Erdem Alparslan vendosi që në lojë të inkuadrojë japonezin Yumemi Kanda dhe Numan Ajetoviq. Ky i fundit vetëm pas dy minutave të kaluara në fushë, servoi një top mjaft të mirë para zonës kundërshtare për El Haxhi Gueye, i cili nuk reagoi mirë, duke goditur shumë dobët më të majtën e tij.
Ndërkohë zëvendësimet e para te Gostivari dhanë rezultatin shumë shpejtë, pasi Elvis Mashike vetëm pas 22 sekondave të kaluara në fushë, arriti që të shënojë golin e epërsisë, që në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e skuadrës mysafire.
Skuadra jonë tentoi fare në fund për të shënuar atë golin e barazimit, mirëpo fillimisht tentativën e Ramanit, portieri mysafir e devijoi në rivënie nga këndi, ndërsa në minutat shtesë, fati nuk ishte me ne, edhe pse dy herë iu afruam portës.
RENDITJA TABELARE
Pas 13 xhirove, FC Shkupi renditet në pozitën e 6-të me 16 pikë. Ndryshe ishte kjo disfata e parë në stadiumin tonë në Çair, aty ku deri më tani kishim regjistruar 3 fitore dhe 3 barazime.
Të shtunën që vjen, do të jemi mysafir të Vardarit, një ndeshje tjetër mjaft interesante, e ku mund të refelktojmë dhe të nxirremi për dy disfatat e njëpasnjëshme, kundër Voska Sport në mesjavë dhe kundër Gostivarit sot.