Ekipi i FC Shkupit u mposht me rezultat minimal 0-1 nga skuadra kazake Kaysar në ndeshjen e fundit miqësore të kampit stërvitor në Antalia. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutat e para, pavarësisht përpjekjeve të shumta dhe paraqitjes pozitive të djemve të trajnerit Alparslan Erdem gjatë pjesës tjetër të ndeshjes, ku u humbën disa raste të mira, si për të barazuar, gjithashtu edhe për të fituar këtë takim.
Me këtë disfatë, FC Shkupi përfundoi serinë e ndeshjeve miqësore në Antalia. Gjatë këtyre përballjeve, ekipi ynë regjistroi dy fitore dhe dy humbje. Shkupi triumfoi ndaj Septemvri Sofia nga Bullgaria me rezultat 2-1 dhe Veres Rivne nga Ukraina me 4-2, ndërsa pësoi dy disfata ndaj Polonia Warszava nga Polonia (0-2) dhe Kaisar nga Kazakstani (0-1).
Ekipi pritet të kthehet në Shkup të shtunën për të vazhduar përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit, në vigjilje të ndeshjes së parë të pjesës pranverore të sezonit, me 16 shkurt kundër Rabotniçkit në shtëpi. Drejtuesit dhe stafi janë optimistë për formën e ekipit pas kampit intensiv stërvitor, ku më e rëndësishmja, gjithë lojtarët punuan fort dhe munguan dëmtimet.