Me fitoren zyrtare në tavolinë 3-0 ndaj Voskes, e cila u tërhoq nga kampionati më herët, FC Shkupi e ka mbyllur zyrtarisht sezonin 2024/25. Një edicion me ulje-ngritje, krizë të madhe në fund të kampionatit, por edhe me shumë momente për t’u theksuar, i cili përfundon me skuadrën në mesin e tabelës dhe me disa statistika pozitive për të ndërtuar të ardhmen.
Pozicionimi në tabelë
Shkupi e përfundoi sezonin në vendin e shtatë me gjithsej 38 pikë të fituara nga 33 ndeshje. Në këtë kampanjë, ekipi regjistroi 10 fitore, 8 barazime dhe 15 humbje, duke siguruar një bilanc që garanton qëndrimin në elitë dhe hapësirë për përmirësim në sezonin e ardhshëm.
Statistikat e golave, sulmi i tretë më i mirë në kampionat
Në aspektin ofensiv, Shkupi realizoi 47 gola gjatë kampionatit dhe pësoi po aq, një baraspeshë që e vendos skuadrën tonë si sulmin e tretë më efikas në kampionat, menjëherë pas Shkëndijës dhe Sileksit. Kjo tregon një rritje të ndjeshme në fuqinë sulmuese të ekipit.
Ramani me më shumë minuta, Imeri golashënues më i mirë
Kapiteni Hamza Ramani ishte lojtari me më së shumti minuta në fushë, me 2628 të tilla, vetëm 19 minuta më shumë se Kristijan Blazhevski, i cili gjithashtu ishte ndër shtyllat e ekipit këtë sezon. Ndërkohë, Albert Laman Dienne ishte lojtari me më së shumti paraqitje, duke u aktivizuar në 34 ndeshje. Demir Imeri ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës sonë këtë sezon, duke realizuar 7 gola. Në ndihmë të tij dhe pjesës tjetër të ofensivës ishin Xhemal Ibishi dhe Emanuel Avornyo, të cilët dhanë nga 5 asistime secili – duke u shpallur asistuesit më të mirë të skuadrës për sezonin 2024/25.
Andrej Lazarov, një humbje që nuk harrohet
Përtej rezultateve dhe statistikave, ky sezon u shënua edhe nga një dhimbje e thellë për klubin tonë. Në muajin mars humbëm një nga lojtarët tanë të rinj dhe të talentuar, Andrej Lazarov, i cili ndërroi jetë në tragjedinë e një diskoteke në Koçan. Humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh në zemrat e gjithë familjes së Shkupit, ndërsa kujtimi për Andrejin do të mbetet i paharruar për gjithë ne.
Pushimi para sezonit të ri
Pas përfundimit të kampionatit, skuadra veç më ka filluar periudhën e pushimit, për t’u rikthyer më pas në fillim të përgatitjeve për sezonin e ri 2025/26. Objektivat janë të qarta: të përmirësohet loja, të forcohet skuadra dhe të arrihet më shumë në sezonin e ardhshëm.
Faleminderit për mbështetjen
FC Shkupi falënderon të gjithë tifozët, lojtarët dhe stafin për angazhimin, përkushtimin dhe përkrahjen e vazhdueshme gjatë gjithë këtij sezoni.
Mirupafshim në sezonin e ri 2025/2026.