Skuadra e FC Shkupi e ka filluar me fitore sezonin pranveror, pasi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në duelin e të dielës ndaj skuadrës së Metalurgut.
Gjithçka kishte filluar me një festë të madhe, pasi tifozët e flaktë të FC Shkupi që kishin ardhur mbi 2.000 në tribunën e stadiumit të Çairit, po kremton edhe një përvjetor të nëngrupës “Çair Crew” e cila festoi tetë vjetorin e formimit.
Shkupi e filloi menjëherë me sulm drejt portës së Metalurgut, por fusha e vështirë nuk lejoi që Osmani, Nuhiu dhe Petkovski të arrijnë të shënojnë gol në minutat e parë, kur edhe kishin edhe goditjet e para drejt portës së portierit Iliq.
Por rastet më të mira në minutat e para ishin, goditja nga distance e Fiznik Zukës dhe Sedat Berisha kur ishte shumë afër nga një ndërprerje të godasë me kokë.
Por ashtu sikurse afroheshin minutat e fundit të pjesës së parë edhe rastet nuk kishin të ndalur. Në një aksion që dukej të jetë frytdhënës, Ermedin Ademi ndalet në mënyrë të palejuar, ndërsa goditjen e lirë vendos ta ekzekutojë Muharem Bajrami. Të gjithë ishin në pritje që gol do të ketë dhe kështu ndodhi. Bajrami goditi preciz për ti dhënë epërsinë Shkupit në minutën e 39-të.
Pjesa e dytë nuk kishte asnjë ndryshim sa i përket mënyrës së lojës. Shkupi edhe pse kishte epërsinë, vazhdonte të sulmonte për të shënuar dhe golin e qetësisë. Nga të gjitha anët radhiteshin aksionet, ndërsa protagonistë ishin pothuajse të gjithë futbollistët, si sulmuesit ashtu edhe mbrojtësit. Deri në fund mbeten vetëm rastet për ti numëruar, pasi goli i Bajramit i mjaftoi Shkupit për pikët e para të sezonit pranveror, që e ngjitë atë në pozitën e 4-të, me pikë të barabarta me Rabotniçkin dhe Sileksin. /fcshkupi/
FC Shkupi – KF Metalurgu 1:0 (1:0)
Golashënues: Muharem Bajrami ‘39
Stadiumi i Çairit- Shikues: 2.000
FC Shkupi: Suat Zendeli, Muharem Bajrami, Fisnik Zuka – Miran Maksuti (’75), Ardian Nuhiu – Enes Kagun (‘82), Sedat Berisha, Mevlan Murati, Florent Osmani, Filip Petkovski, Ermedin Ademi – Filip Janevski (’65), Bujamin Asani dhe Dimitrija Llazarevski.
Në bankën rezerve ishin: Jasir Bajrami, Mevlan Adili, Husein Demiri, Besar Iseni.
Kartonë të verdhë: Bujamin Asani min ’28.