Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Nderim Nexhipi, një ndër emrat e njohur të klubit tonë, prej sot edhe zyrtarisht do të ushtrojë detyrën e Drejtorit Sportiv…
“Njeriu i duhur, në vendin dhe momentin e duhur”…
Është ky përshkrimi më i mirë që mund ti bëjmë rikthimit të Nderim Nexhipit te skuadra jonë, mirëpo këtë herë në postin e Drejtorit Sportiv, post këtë të cilin me shumë sukses e kryente tashmë vite me rradhë në skuadra të ndryshme, si në Shqipëri, Kosovë dhe së fundmi në Turqi.
Nexhipi, ndryshe është një fëmijë i FC Shkupit. Pikërisht këtu ka bërë hapat e parë me futbollin, nga i cili tashmë i njëjti po ushqen familje.
Ai u prezantua nga Drejtori ynë i përgjithshëm, Emir Shabani, i cili njëherit ka meritat më të mëdha që Nexhipi u bind për tu rikthyer sërish në folenë e vjetër.
“Për mua rikthimi te FC Shkupi pas shumë viteve është kënaqësi e jashtëzakonshme, pasi që jam kthyer në vendin ku për mua filloi çdo gjë. FC Shkupi është skuadra ku unë fillova hapat si futbollistë, pra për mua është më shumë se vetëm një klub. Ne jemi rritur me Shkupin dhe ky klub është identiteti ynë”.
“Këto dy javët e fundit kam marrë shumë mesazhe nga ‘Shvercerat’ dhe gjithë futbolldashësit e Shkupit dhe ftesa nga Presidenti i klubit dhe Emir Shabani, të cilët i falënderoj për besimin, më kanë bërë që shumë shpejtë të vendosi dhe pas shumë viteve të kthehem dhe të fillojmë një udhëtim së bashku”.
“Ekipi nuk e ka filluar mirë këtë sezon dhe rezultatet janë evidente, por për mendimin tim, ky ekip ka potencial për vendet e para në tabelën e klasifikimit, pasi që ambiciet e klubit dhe tifozëve dihen. Unë personalisht ju premtoj ‘Shvercerave’ dhe gjithë tifozëve të klubit që do ta rikthejmë Shkupin, aty ku e ka vendin dhe në këtë projekt që kemi filluar, në 2 vitet e ardhshme do shpallemi Kampion dhe do të tentojmë t’i kapim grupet në garat europiane”.
Kush është Drejtori ynë i ri Sportiv, Nderim Nexhipi…
Nderim Nexhipi ka lindur më 22 maj të vitit 1984 në Shkup. Nderim Nexhipi edhe pse në moshë shumë të re, ishte pjesë e asaj gjenerate të artë të ish Slloga Jugomagnatit, nga e cila skuadër bëri një ndër transferimet më të bujshme atë kohë, duke u transferuar në Bundesligën gjermane te skuadra e Herta Berlin, që më pas të luaj edhe me Volfsburgun.
Ai gjithashu kishte luajtur edhe në Belgjikë me ekipin e Lirs, pastaj në Azerbejxhan me Karabag, në Rumani me Vasluin, ndërsa gjithashtu kishte bërë karrierë edhe në Shqipëri, duke luajtur me Flamurtarin, Partizanin dhe Korabin.
Pikërisht në Shqipëri ai nisi edhe punën e Drejtorit Sportiv me skuadrën e Kukësit, që nga 17 qershori i vitit 2021 këtë post me mjaft sukses ta realizojë te skuadra e Ballkanit nga Kosova, aty ku si futbollistë kishte luajtur me fanellën e Dritës, ku edhe kishte mbyllur karrierën e tij profesionale në futboll në fund të vitit 2017-të.
Sa i përket karrierës së tij futbollistike në vendin tonë, vlen të theksohet se i njëjti ka luajtur me 4 skuadrat më të mira në vend, FC Shkupin, Shkëndijën, Vardarin dhe Rabotniçkin.
Nexhipi i cili flet shtatë gjuhë, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm si drejtor sportiv te skuadra kampione e Kosovës, FC Ballkani, skuadër kjo e cila dy herë rrishtazi luajti në grupet e Ligës së Konferencës.
Pikërisht sukseset me këtë skuadër, bënë që ai qershorin e vitit 2023-të, të emërohet në postin e Drejtorit ekzekutiv te skuadra e njohur turke e Manisa, te e cila skuadër shumë shpejtë bëri edhe transferimin e Meriton Korenicës.
Transferimi i futbollistëve të rinj do të jetë detyra e tij e re te skuadra e FC Shkupit, të cilën Nexhipi e njeh shumë mirë, pasi këtu është rritur dhe me siguri që këtu edhe i flen zemra.
Jo rastësisht thuhet, se “Guri i rëndë peshon në vend të vetë”, ashtu që le të jetë ky një rrugëtim i mbarë për skuadrën tonë me emërimin e Nexhipit në postin e Drejtorit Sportiv.