Skuadra e Shkupit është në fazën e fundit të përgatitjeve për ndeshjen e parë të sezonit pranveror, kur të dielën do të jetë mysafire e ekipit të Vardarit në stadiumin “Telekom Arena” në Shkup.
Për këtë ndeshje trajneri Ardian Nuhiu është duke përgatitur skemën e lojës dhe tani më futbollistët që ka në disponim kanë marrë instruksionet.
Sigurisht se për ekipin paraqet vështirësi të vetme që në këtë ndeshje nuk ka të drejtë loje Jasir Asani, i cili është në formë huazimi te Shkupi dhe në bazë të marrëveshjes së dy klubeve, futbollisti i kombëtares shqiptare U21, debutimin e tij në ndeshje zyrtare duhet ta presë në ndeshjen ndaj Rabotniçkit. Gjithashtu është në dyshim për këtë ndeshje shkaku i vonesës së dokumentacioneve të tre përforcimeve tjera, si Sedat Berisha, Emmanuel Mbela dhe Nikolla Iliç, ndërsa shkaku i pesë kartonëve të verdhë në këtë ndeshje mungon edhe mbrojtësi Dimitrija Llazarevski.
Por edhe përkundër këtyre problemeve, trajneri Nuhiu mendon se ekipi i tij do të dalë në këtë ndeshje e përgatitur për të dhënë maksimumin, pasi që është një ndeshje derbi.
“Ndeshja e parë sezonale nuk do të jetë aspak e lehtë, për faktin se do të duhen të kalohen së paku edhe tre deri katër xhiro për të arritur ngritjen maksimale të formës së futbollistëve. Ne të dielën luajmë kundër kampionit aktual dhe kampionit të gjysmë sezonit vjeshtor, andaj do duhet pranuar se skuadra nikoqire është favorite. Por mos të harrojmë se Vardari është rivali ynë i përjetshëm dhe njëkohësisht kjo ndeshje është derbi më i madh në vend. Futbollistët tanë çdo herë në këto ndeshje kanë lënë shpirtin në fushë dhe besoj se edhe kësaj radhe do të jetë e njëjta”, është shprehur trajneri Ardian Nuhiu.
Ekipi të mërkurën ka kryer kontrollimet mjekësore dhe më pas kanë shfrytëzuar ditë të lirë, që sot tu rikthehen stërvitjes nga ora 14:00, kohë kjo kur edhe do të luhet ndeshja ndaj Vardarit të dielën.