Rikthehet futbolli vendor me ndeshjen e parë të sezonit pranverorë, kur të dielën do të luhet xhiroja e 19-të, ndërsa në këtë javë Shkupi do të jetë nikoqire e skuadrës së Metalurgut.
Skuadra bardhekaltër nga Çairi është përgatitur maksimalisht në të gjitha aspektet. Përgatitjet i ka zhvilluar në tri faza, duek e filluar atë në Shkup, pastaj për 12 dytë ishte në Ohër dhe tani para fillimit të sezonit u rikthye në Shkup për të përmbyllur përgatitjet.
Pikërisht për ndeshjen e parë, atë kundër skuadrës së fundit në tabelë, Metalurgut ekip e cila u ballafaqua edhe me krizë financiare dhe me largimin e një numër të madh futbollistësh, ka folur sulmuesi me përvojë Ardian Nuhiu.
“Sigurisht se duhet të kemi kujdes nga ekipi i Metalurgut, ndeshjet më të vështira në futboll janë ato të cilat mendohet se janë fituar ende pa filluar loja. Pas të gjitha problemeve qe ka pas Metalurgu, ata përsëri kanë mbledhur një grup me djem të ri të cilët dëshirojnë të tregojnë vlerat e tyre në kampionat. I kemi përcjellë gjatë fazës përgatitore, kanë zhvilluar disa ndeshje kontrolluese mjaft të mira.
Më vjen mirë që ekipi ynë ka ruajtur grupin e futbollistëve, jemi përforcuar në dy tre pika dhe besoj se jemi edhe më të fort se pjesa e parë e kampionatit. Me një angazhim maksimal të të gjithë futbollistëve dhe me dëshirë për ta fituar ndeshjen, besoj që nuk do të mungojë edhe rezultati.
Pas pauzës dimërore publiku dhe tifozët tanë më të zjarrtë “Shvercerat”, mezi e presin këtë ndeshje dhe jam i bindur se do të vijnë në numër të madh për të na përkrahur, sikur që e bëjnë në çdo ndeshje. Shpresojmë në fund të festojmë fitoren bashkë me “Shvercerat”, e ka mbyllur Nuhiu.
Të përkujtojmë se Shkupi gjatë fazës përgatitore luajti pesë ndeshje kontrolluese, shënoi fitore ndaj Makedonija Gj.P. (5:1), Novaci (2:1), Gostivarin (3:1), barazoi me Mlladost Lluçane (1:1) dhe pësoi disfatë nga Teteksi (1:0).
Në këtë fazë Shkupi si përforcime në radhët e veta solli Sedat Berishën, Filip Petkovskin, Enes Akgun dhe Muhamed Nuredini, ndërsa u larguan trajneri Zekirija Ramadani dhe futbollistët Flakron Ajdari dhe Xhihan Seferi. /fcshkupi/