Të dielën në stadiumin e Çairit do të luhet java e parafundit dhe e fundit për këtë sezon ku jemi nikoqir, ndërsa për mysafir presim skuadrën nga Strumica, Brera.
Sigurisht se për ekipin tonë, kjo përballje do të jetë e një rëndësie të madhe, pasi duhet me çdo kusht të fitojmë dhe të vazhdojmë të shpresojmë për një pozitë që na dërgon në garat evropiane.
Ekipi gjatë gjithë javës ka punuar me intensitet të shtuar dhe ka marrë të gjitha masat që këtë ndeshje ta kalojnë me rezultat pozitiv, që është fitorja. Pikërisht në prag të këtij dueli ka folur sulmuesi i krahut, braziliani Victor Damasceno.
“Sigurisht se edhe kjo ndeshje për ne është e një rëndësie të madhe dhe me shumë peshë për të mbyllur këtë sezon. Ne duhet të kryejmë punën tonë deri në momentin që shanset ekzistojnë dhe të luftojmë deri në fund. Kemi punuar mjaftueshëm mirë dhe besoj se futemi në këtë duel për të marrë fitore, duke e ditur se kemi një ekip mjaft të mirë. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe në fund të festojmë fitoren”, ka thënë Damasceno.
Ndeshja Shkupi AP Brera Strumicë luhet të dielën në stadiumin e Çairit me fillim nga ora 17:00, ndërsa drejtësinë si arbitër kryesorë do ta ndajë Krunisllav Gjeorgjiev nga Shtipi.