Fitorja të dielën ndaj Besës së Dobërdollit në Gostivari do të ishte qershia mbi tortë për FC Shkupin, thotë kapiteni i skuadrës, Artan Iljazi. Fitorja ndaj kampionëve të Struga Trim Lum ka ndikuar shumë pozitivisht te skuadra jonë, ndërsa ky pozitivitet shpresojmë të reflektojë edhe në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtorë.
“Maksimalisht jemi të përgatitur për këtë ndeshje, që do të jetë e fundit për stinorin vjeshtorë. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, edhe pse kishim një krizë të rezultateve, kur na mungonte fitorja për 5 ndeshje rradhazi. Megjithatë fitorja ndaj Strugës bëri që skuadra të reflektojë shumë pozitivisht edhe në seancat stërvitore të fundit, ku kemi punuar shumë mirë, ashtu që besoj se të dielën do të dalim me rezultat pozitiv” – thotë Artan Iljazi, i cili e kujton edhe atë barazim 1:1 në ndeshjen e parë në Çair kundër Besës së Dobërdollit.
“E dimë se në ndeshjen e parë të këtij sezoni kundër Besës në Çair na mungoi fitorja, mirëpo besojmë se një gjë të tillë do bëjmë të dielën në Gostivar. E them këtë pasi skuadra ka fituar shumë vetëbesim pas fitores së fundit kundër kampionëve të Struga Trim Lum të martën. Një fitore tjetër do të ishte qershia mbi tortë për të mbyllur në mënyrën më të mirë pjesën e parë të sezonit 2024/25, e që realisht nuk morrëm atë që prisnim,” shprehet kapiteni Artan Iljazi, i cili beson se FC Shkupi me pronarët e rinj dhe ndryshimet që pritet të ndodhin, do të refelktojë më mirë në pjesën pranverore.
“Ndryshimet e fundit që ndodhën me ardhjen e presidentit të ri, Yasin Konyali, drejtorit Aykut Turan, por edhe Drejtorit të ri Sportiv, Nderim Nexhipi, na japin shumë shpresa se me pak ndryshime në merkaton e janarit, mund të bëjmë shumë më mirë në pjesën pranverore dhe të jemi në garë serioze për pozitat që sigurojnë Europën. Ne jena Shkupi dhe gjithnjë tentojmë pozitat më lartë në renditje, ashtu që me një mirëorganizim, besojmë se do ja arrijmë qëllimit gjithë së bashku” – përfundon deklaratën e tij Iljazi për faqen zyrtare të klubit.