Tani kur aventura evropiane ka përfunduar, kryesia e klubit me në krye pronarin Shefshet Demiri dëshiron të falënderojë të gjithë ata që kishin gjetur kohë për të ardhur të mbështesin klubin në ndeshjen evropiane, pas plot 14 viteve.
Në tribunat e stadiumit të qytetit “Arena Filipi II” nga 901 bileta të shitura, (300 ishin të huaj, duke mos i numëruar “Shvercerat” dhe tifozët e organizuar nga Glasgow Rangers), treguan se sa në të vërtet e duan klubin dhe se sa janë ata të cilët kërkojnë stadium më të madh dhe dëshirojnë që me një çmim simbolik të kontribuojnë për ngjyrat e skuadrës së tyre. Edhe pse numri më i madh i biletave ishin me çmim simbolik 100 dhe 200 denarë, ishte i paktë numri i atyre që dëshiruan të jenë pjesë e një feste të madhe evropiane, që po i mungonte jo vetëm Çairit, por gjithë Shkupit dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Duke mos i numëruar numrin e madh të tifo grupit “Shvercerat”, të cilët i falënderojmë publikisht për animin e tyre gjatë 90 minutave, ne mbesim me shpresë se dashuria për klubin do të shtohet më shumë, atëherë kur do të jemi të gatshëm ta përkrahim atë në çdo ndeshje dhe në çdo situatë. Sigurisht se të gjithë ne duam ta shohim Shkupin më të fortë, më kualitativ dhe ekip e cila do të fitojë tituj, por për të pasur skuadër të tillë, duhet mbështetje edhe më e madhe e tifozëve”, është shprehur pronari Demiri.