Nuk ka të ndalur skuadra e FC Shkupi, ka vazhduar serialin e fitoreve, kështu nga 6-të ndeshje ka shënuar 6-të fitore dhe është lider i pa konkurrent deri më tani, duke grumbulluar 18 pikë.
Viktima e radhës e futbollistëve të Shkupit ishte skuadra “Skopje”, e cila ishte mundur që në 45 minutat e para. Edhe pse trajneri Ramadani kësaj radhe kishte futur në njëmbëdhjetëshin e parë një ekip krejtësisht me futbollistë më të rinj, kjo aspak nuk paraqiti problem për të shënuar fitore me rezultat 2:0.
Ishte Bujamin Asani i cili paralajmëroi fitoren e radhës. Asani duke qenë një lider i vërtet në këtë ndeshje, ka shënuar një super gol në minutën e 14-të. Kështu vazhdoi loja dominuese e bardhekaltërve nga Çairi dhe kaluan vetëm 4 minuta për të parë dhe golin e dytë.
Ishte një solo aksion i Goran Maznov, i cili tregoi kualitet e tija, që të ngritur epërsinë në 2:0. Ky ishte goli i dytë për Maznovin, pas atij që shënoi në ndeshjen e fundit ndaj Mlladostit.
Edhe pjesa e dytë ishte shumë dinamike dhe me shumë raste për të shënim, ndërsa një të tillë kishin edhe mysafirët kur shfrytëzuan një gabim të mbrojtjes dhe ishte shtylla që e shpëtoi rrjetin e portierit Zendeli.
Në minutën e 68-të Shkupi kishte dy raste të një pas njëshme. Ardian Nuhiu asistoi te Stankovski i cili rrëshqiti para portës, ndërsa topi arriti deri te Fisnik Zuka i cili me një goditje të fortë dridhi transversalen e mysafirëve.
Trajneri Ramadani ka përgëzuar futbollistët e tij për lojën, ku mes tjerash tha. “Me të vërtet treguam cilësi, edhe pse kishim disa rotacione në ekip, por gjithmonë e kam thënë se Shkupi përbëhet prej 25 futbollistëve dhe ata edhe sot e treguan me meritë jemi në vendin e parë në tabelë. E kishim planifikuar edhe këtë fitore, edhe atë bindshëm duke mos pranuar asnjë gol”, ka thënë Ramadani.
Shkupi do të vazhdojë me përgatitje intensive, pasi të mërkurën e pret dhe një ndeshje shumë me rëndësi, kur në kuadër të Kupës së Maqedonisë, në stadiumin e Çairit do të luajë me Teteksin. / fcshkupi /
Shkupi – “Skopje” u pa edhe nga seleksionuesi Milevski
Duke marrë parasysh se Shkupi ka një numër të madh të futbollistëve të rinj që luajnë për ekipin e parë, në shkallet e stadiumit ishte edhe seleksionuesi i ri i reprezentacionit të Maqedonisë U-21, Bllagoja Milevski. Sytë e Milevskit ishin drejtuar kah të rinjtë siç janë Besir Demiri, Mevlan Adili, Finsik Zuka dhe super talenti 17-të vjeçar Besir Iseni, të cilët sot luajtën nga minuta e parë. Seleksionuesi Milevski është pritur në mënyrën më të mirë nga kryetari i klubit Ejup Ademi dhe drejtori sportiv Visar Ganiu.