Raporti nga ndeshja FK Rabotniçki-FC Shkupi

Xhiroja e dytë e sezonit në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut nuk shkoi ashtu siç dëshiruam, pasi në transfertën me Rabotniçkin u mundëm me rezultat 2:0. Futbollistët e skuadrës tonë gjatë 90-të minutave kontrolluan lojën, por nuk kishim finalizimin e duhur për gol, ndërsa vendasit shfrytëzuan dy mundësitë e vetme ideale për dy gola dhe fitore.

Fillimi i pjesës së parë nuk solli futboll atraktiv, ndërsa rastin e parë konkret e regjistruam në minutën e 19-të me Ilieskin që kishte rast të mirë me kokë, por topi goditi tranversën dhe përfundoi jashtë. Tre minuta më vonë u ndëshkuam nga vendasit, që përmes Markoviçit shkuan në epërsi për 1:0. Pas golit të pranuar ekipi mori iniciativën dhe krijuam disa raste për gol, me Bajramin, Stojanovskin e Jurinën që tentuan të gjejnë rrjetën, por pa finalizim, duke lënë kështu që 45 minutat e para të mbyllen në favor të kundërshtarit.

Fraksionin e dytë ekipi e nisi me një ndryshim, me trajnerin Umit Karan që vendosi ta nxjerrë nga loja Musli Likën, ndërsa në vend të tij e inkuadroi Fatjon Jusufin. “Bardheblutë” krijonin lojë të bukur në terren, por nuk kishin zgjidhje në finalizim. Në të 76-tën Jurina pati rast të mirë, kur gjuajti me të djathtën fortë nga distanca, por mbron portieri Shishkovski. 2 minuta më vonë, kapiteni Bajrami tentoi nga jashta zona, mirëpo topi shkoi vetëm skaj portës. Në të 86-ën ishim shumë afër golit, por gjuajtja e Sergios shkoi skaj portës të kundërshtarëve. Deri në fund kishim lojën nën kontrollin tonë, por asesi të gjejmë rrjetën për barazim. Ndërkohë në minutën e fundit të shtesës, vendasit shënojnë edhe golin e dytë përmes Todorovskin për rezultat final të këtij takimi 2:0.

Ndeshje e radhës në kampionat Shkupi e luan në Çair kundër Renovës.