Ekipi ynë ndeshjen e nisi më shumë ritëm dhe aksione të njëpasnjëshme, ndërsa ashtu radhiteshin edhe rastet për gol.
Përpjekja e parë për të shënuar ishte përmes Ibishit në minutën e tretë, por topi përfundoi në këndore pas ndërhyrjes së suksesshme të portierit Kitanovski. Ekipi ynë pati më shumë lojë në fillim dhe tregoi synimin për të kaluar herët në epërsi, ndërsa Ibishi goditi traversën dhe pak çaste më vonë gjeti rrjetën. Sulmuesi priti mirë topin dhe mposhti me kokë portierin mysafir nga dhjetë metra.
Mysafirët ishin të ekuilibruar dhe patën vështirësi në lidhjen e lojës në anën e kundërt. Pas një pushimi të shkurtër për freskim ekipi ynë vazhdoi me ofensivën e plotë dhe krijoi disa raste edhe më të mira përsëri me Ibishin, Avornyon dhe Kanda. Voska Sport nga një gjysmë shanse barazoi në 1-1 me goditjen e Abdulhadi Yahya në minutën e 39-të. Por ekipi ynë menjëherë më pas tentoi të përgjigjen shpejt me një tjetër rast me Ibishin, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund të 45 minutave të parë, 1-1.
Fillimi i pjesës së dytë solli një intensitet më të qetë, por më pas beteja u nxeh pak para minutës së 60-të. Loja ishte e hapur nga të dyja palët, por topi mbahej më shumë në mesin e fushës.
Shkupi përsëri luajti më mirë në sulm, pati dy raste solide me Kurtish dhe Kandan, por nuk e gjeti dot rrugën për në rrjetë. Voska u përpoq me mjeshtëri të ruante barazimin dhe në disa momente dilte edhe lart në sulm. Voska pas një aksioni në krahun e majtë, pas të cilit Klinton Osei shënoi dhe u dha mysafirëve avantazhin. Voska goditi sërish dhe shënoi golin e tretë me Donart Ibrahimin në minutën e 80-të. Epërsinë e dy golave mysafirët e mbajtën vetëm për gjashtë minuta, kur përforcimi i ri, El Hadji Geye, shkurtoi në 2-3. Senegalezi arriti të lehtësonte sadopak dhimbjen dhe më pas erdhi shpërthimi në tribunë, kur Shkupi barazoi rezultatin në 3-3 me një gol mjeshtëror të Edmunssonit, i cili shënoi një euro gol të vërtetë në minutën e 92-të për të vendosur rezultatin përfundimtar 3-3.