Kryesia e FC Shkupi sot ka arritur që të sigurojë edhe nënshkrimet e dy futbollistëve të mbetur, të cilët tani do të jenë edhe për dy vite të tjera pjesë e ekipit bardhekaltër.
Fillimisht marrëveshje është arritur me 27 vjeçarin Bunjamin Shabani, i cili gjatë sezonit të parë me Shkupin kishte paraqitje të mrekullueshme, duke ndihmuar klubin në arritjen e objektivit. Shabani në sezonin që lamë pas ka regjistruar 25 paraqitje, nga të cilat ka shënuar katër gola dhe kishte një asistim.
“Jam i lumtur që vazhdoj të jem pjesë e një klubi si FC Shkupi, është kënaqësi të luash para tifozerisë “Shvercerat” të cilët më kanë përkrahur maksimalisht. Shpresoj që t’i shpërblejmë me ndeshje të mira në Evropë dhe të arrijmë objektivat e klubit në kampionat”, ka thënë Shabani.
Ndërkohë pjesë e Shkupit edhe për dy vite do të mbetet mesfushori kroat me pasaportë gjermane, Stefan Vujçiç. Edhe pse një kohë të gjatë Vujçiç ishte jashtë terrenit shkaku i lëndimit, ai në fund të sezonit u kthye edhe më i fortë duke ndihmuar skuadrën në ndeshjet mjaft vendimtare. Vujçiç me Shkupin ishte që nga janari i 2018-tës, për të regjistruar vetëm shtatë paraqitje.
Të njoftojmë edhe atë se skuadra ka lënë të lirë futbollistin Husein Demiri,i cili në formë huazimi luajti te KF Vëllazërimi. Kontrata e Demirit skadoi pikërisht në fillim të qershorit, që tani ai të jetë futbollist i lirë. Kryesia e klubit dhe stafi e falënderojnë Demirin për kontributin e dhënë gjatë kohës porsa ishte pjesë e FC Shkupi.
Tani pasi janë përfunduar kontratat me futbollistët që ishin pjesë e klubit, kryesia ditëve në vazhdim do të fillojë prezantimin e përforcimeve eventuale, të cilët janë në fazën përfundimtare.