Sheji është përforcimi i radhës me kontratë tre vjeçare

Skuadra jonë vazhdon të punojë në sferën e përforcimit me futbollistë të rinj, ndërsa në listën e transferimeve sot kemi nderin që t’ju njoftojmë se kemi arritur marrëveshje tri vjeçare me një nga futbollistët më të mirë të kampionatit vendor, mbrojtësin e krahut të majtë, Blerton Sheji.

Kujtojmë se Blerton Sheji karrierën e tij futbollistike e kishte nisur nga mosha 16 vkeçare te FC Struga, ndërsa ishte pjesë edhe e Shkëndijës së Tetovës, por sukseset më të mëdha i ka arritur me ekipin e Strugës, fillimisht duke ndihmuar ata që të futen në Ligën e Parë, duke u shpallur kampion të Ligës së Dytë dhe së fundmi ishte një nga më meritorët që Struga e mbylli kampionatin në vendin e tretë për të siguruar daljen e parë në arenën evropiane.

“Pas bisedimeve që pata me drejtuesit e klubit, ngela i impresionuar me ambiciet që kanë për të ardhmen dhe vlerësova që është momenti i duhur për t’ju bashkangjitur projektit me shpresë që do mund të ndihmojë klubin të arrije objektivat. Është një nder dhe kënaqësi e madhe për mua ta vesh fanellën e FC SHKUPI, ndërsa nuk më mbetet asgjë përveç se t’ju premtoj dhe siguroj që do jap maksimumin tim. Mezi pres të luaj para tifozëve tanë të mrekullueshëm “Shvercerat””, ka mbyllur deklaratën e tij Sheji për faqen zyrtare të klubit, menjëherë pasi ka vënë firmën në marrëveshje për tri vitet e ardhshme.

Kujtojmë se Sheji gjatë sezonit që lamë pas kishte 32 paraqitje, duke realizuar dy asistime, ndërsa ishte shtyllë e mbrojtjes dhe ndihmesë e madhe e mesfushës por edhe sulmit.

Blerton Sheji është anëtar i përfaqësueses së Maqedonisë se Veriut U21, me të cilët deri më tani ka regjistruar dy paraqitje.