Skuadra e FC Shkupit ka luajtur ndeshjen e parë kontrolluese, si mysafire e skuadrës së FC “Skopje”-s, që këtë sezon është rikthyer në Ligën e Parë. Ndeshja në fjalë përfundoi pa fitues, duke mos u tundur rrjetet e asnjërës palë edhe pse Shkupi kishte shumë raste për shënim.
Sapo kishte filluar ndeshja, që në minutën e dytë një aksion i mrekullueshëm i filluar nga mesfushori Muharem Bajrami, që gjeti para portës këmbëshpejtin Emmanuel Mbella, nuk u shndërrua në gol, falë shtyllës e cila ishte aleat i nikoqirëve. Ashtu sikurse kalonin minutat edhe rastet për Shkupin ishin të shpeshta, por tentimet e Ermedin Adem, Muharem Bajramit dhe Krisijan Stojkoskit mbetën vetëm në regjistrin e tentimeve.
Pjesa e dytë ishte pothuajse me ritëm të njëjtë, edhe pse trajneri Ardian Nuhiu ju dha hapësirë edhe shumë futbollistëve të rinj të cilët vijnë nga akademia e të rinjve, por të cilët po tregojnë pjekuri dhe kualitet për tu imponuar që të jenë në mesin e lojtarëve të ekipit të parë.
Kështu në pjesën e dytë vlen të përmendet goditja e fortë e Shpend Asanit, ndërsa rastin më të mirë në këtë ndeshje e kishte gjashtëmbëdhjet vjeçari Suhejl Muharremi, i cili pasi kaloi me mjeshtri disa futbollistë të mbrojtës, portieri nikoqir me forcat e fundit ndali goditjen e tij të fortë për të shpëtuar portën, e që i mohoi debutimin me gol në ekipin e seniorëve.
Pak minuta para fundit, në zonën e rreptësisë ndërhyrje të palejuar bëri futbollisti i ri i Shkupit Erblin Daci, ndërsa Dario Desniq nuk ishte preciz dhe huqi portën.
Futbollistët e Shkupit nesër janë të lirë, ndërsa pasnesër udhëtojnë drejt Mavrovës ku do të vazhdojnë fazën përgatitore për 10 ditë me rresht, e ku ndër të tjerat do të luajnë edhe ndeshje kontrolluese.
FC Shkupi: Suat Zendeli (Burhan Mustafa), Fisnik Zuka (Omer Imeri), Besart Krivanjeva (Besir Ramadani) Sedat Berisha, (Erblin Daci), Edis Maliqi (Xhavit Bushi) Shqiprim Taipi (Fatih Ismaili), Muharem Bajrami (Altin Sefo), Bunjamin Shabani (Shpend Asani), Kristijan Stojkoski (Husein Demiri) Ermedin Adem, Emmanuel Mbella (Suhejl Muharemi.
Në bankën rezerve ishin edhe dy portierët Ruzhdi Ameti dhe Nuhi Jonuzi