Klubi i Futbollit “Shkupi” sot ndezi motorët e përgatitjeve për sezonin e ri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë. Skuadra e Shkupit që sezonin e kaluar ishte ndoshta dhe befasia më e madhe, pasi ishte gjatë gjithë sezonit në mesin e pesë ekipeve më të mira, sezonin e ri do ta fillojë me përgatitjet bazike në stadiumin e Çairit, që më pas të vazhdojë në ndonjë nga qendrat sportive të Maqedonisë ose Bullgarisë.
Në grumbullimin e parë që e kishte organizuar trajneri Visar Ganiu, ishin të gjithë futbollistët, të cilët seancën e parë zyrtare e kishin në orën 18:00. Skuadra deri të enjten do të punojë me nga një seancë stërvitore, ndërsa nga dita e enjte do të kenë nga dy seanca stërvitore, e që në fundjave do të planifikohet dhe faza e dytë e stërvitjeve që do të jetë në ndonjë nga qendrat sportive, që do të jetë e përshtatshme për ekipin.
Para se futbollistët të dalin në stërvitje kishin një takim me kryesinë e klubit, ku kryetari Ejup Ademi ka shlyer të gjitha obligimet ndaj tyre, ndërsa prej sot në postin e nënkryetarit për sezonin e ri është caktuar Suat Alia, një biznesmen shkupjan, i cili edhe më herët kishte mbështetur ekipin, ndërsa tani do të jetë edhe më afër FC Shkupit.
Trajneri i skuadrës bardhekaltër Visar Ganiu ka thënë se beson se ka mjaft hapësirë kohore për të zhvilluar përgatitje kualitative për sezonin e ri, në të cilin do të synohet mbijetesa, e pastaj nëse do të jepet rasti, do të kërkohet dalja në Evropë. “Nuk mendoj se jemi vonuar shumë, edhe pse shumica e futbollistëve kanë stërvitur në mënyre të vetorganizuar ditëve të fundit, por ja që u përputh koha e ramazanit dhe u detyruam pak të vonojmë fillimin. Kemi kohë të mjaftueshme që të jemi gati, pasi që shumë shpejt do të aranzhojmë edhe ndeshe kontrolluese dhe besoj se ekipi do të jetë në formë”, ka thënë Ganiu.
Në stërvitjen e parë dolën të gjithë futbollistët, ku mungoi vetëm Sedat Berisha, të cilit i skadoi kontrata e huazimit. Ekipi sigurisht se do të ketë nevojë edhe për disa përforcime, për të cilën punë po punojnë kryesia në bashkëpunim me menaxherë të ndryshëm nga vendi dhe jashtë.