Skuadra e Shkupit ka vazhduar edhe më tej me fazën përgatitore në kryeqendër, duke u grumbulluar i gjithë ekipi i cili do të bartë barrën kryesore në sezonin e ri futbollistik të Ligës së Parë të Maqedonisë. Tani kanë mbetur edhe pak ditë, kur Shkupi do të ndërrojë vendndodhjen dhe do të niset për në Mavrovë, për të rritur intensitetin e punës dhe për të filluar edhe me ndeshjet e para testuese, që trajneri Ardian Nuhiu të mësojë formën e futbollistëve.
Para se skuadra bardhekaltër të niset për në Mavrovë me (21.07.2017), Nuhiu nesër 15.07.2017 me fillim në orën 18:00 në stadiumin e Çairit do të luajë kontrolluesen e parë me futbollistët e rinj nga shkolla e futbollit të ekipit tonë.
Më pas të mërkurën, (19.07.2017) në stadiumin “Hekurana” (“Zhelezara”), Shkupi do të sfidohet nga anëtari i ri i Ligës së Parë, skuadra e “Skopje”-s, ndeshje kjo që do të luhet me fillim në orën 18:00.
Data e 21 korrikut është rezervuar për nisje drejt Mavrovës, ku skuadra do të qëndrojë deri me 31 korrik, e që deri më tani janë aranzhuar dy ndeshje kontrolluese. Fillimisht me 23 korrik në Mavrovë do të udhëtojë skuadra e Renovës që tani më është në Ohër dhe me 27 korrik, Gostivari do të jetë “mysafire” e Shkupit në Mavrovë. Është planifikuar që para kthimit për në Shkup me 31 korrik të luhet dhe një tjetër kontrolluese dhe kryesia e klubit është në kërkim të një kundërshtari potencial.
Lidhur me fazën e parë të përgatitjeve ka folur dhe shefi i stafit teknik, Ardian Nuhiu që mes tjerash ka thënë se ekipi me sukses po e mbyll fazën e parë.
“Këto dy javë kemi punuar më tepër në akumulimin e forcës dhe ajo që është shumë e rëndësishme për skuadrën, vendosjen taktike, e që është bazë për futbollin. Sigurisht se nga dita në ditë kemi shkuar që të shtojmë intensitetin e stërvitjeve dhe shoh që futbollistët kanë arritur atë që edhe e kemi kërkuar nga ta. Normalisht se do ta kemi shumë më lehtë në Mavrovë, ku temperaturat janë më të ulëta dhe do të ndikojë në shtimin e ritmit të punës që do të bëjë futbollistët të kapin formën e duhur. Pjesë në vete do të jenë edhe ndeshjet kontrolluese dhe sigurisht secili nga futbollistët do të kërkojë të jep maksimumin”.
Nuhiu mes tjerash shkurt ka folur edhe për ardhjet e fundit te Shkupi, si Shqiprim Taipi, Kristijan Stojkovski dhe Shpend Asani.
“Padyshim se shoh potencial të futbollistët që i kemi sjell si përforcim, ata gradualisht janë përshtatur me ekipin dhe presim që në vazhdimësi të rrisin formën dhe të jenë pjesë e grupit tonë. Por ditëve në vazhdim presim të konfirmojmë edhe disa ardhje të reja, që të plotësojmë mozaikun e skuadrës për sezonin e ri”, është shprehur trajneri i Shkupit, Ardian Nuhiu.
Ndeshjet kontrolluese:
15.07.2017 ora 18:00 (stadiumi i Çairit – Shkup)
FC Shkupi – FC Shkupi (të rinjtë)
19.07.2017 ora 18:00 (stadiumi “Hekurana” – Shkup)
FK “Skopje” – FC Shkupi
23.07.2017 – Mavrovë
FC Shkupi – KF Renova
27.07.2017 – Mavrovë
FC Shkupi – KF Gostivari
31.07.2017 (pritet kundërshtari )