Skuadra e Futsall Shkupit më në fund ka thyer mitin e futbollit të Maqedonisë, duke u shpallur kampion shtetëror. Një skuadër që bëri historinë, për herë të parë në historikun e vet, ku pikërisht në ndeshjen e fundit të sezonit që ishte derbi dhe përcaktues për vendin e parë barazoi me Velesin 3:3.
Ndeshja e zhvilluar në sallën sportive “Enver Idrizi” në Çair para një numri të madh të shikuesve, ndërsa salla ishte e vogël për të mbledhur të gjithë ata që ishin nisur për të shijuar titullin e kampionit.
Golat për Shkupin në këtë ndeshje u realizuan nga Alili dhe dy nga Dalip, ndërsa për Velesin shënuan Rangatov, Todorovski dhe Levevski. Shkupi e përfundon sezonin në pozitën e parë me 68 pikë, tre më shumë se Velesi.
Rikujtojmë se Shkupi sezonin 2014/2015 garuan në Ligën e Dytë, ku që në vitin e tyre të parë si klub arritën që të shpallen kampion dhe të ngjiten në mesin e më të mirëve, ku suksesi sërish nuk mungoi. Ata në debutimin e tyre në Ligën e Parë arritën që të dalin nënkampion, ndërsa këtë vit e fituan titullin kampion.
Shkupi tani kërkon edhe trofeun e dytë në futsall, pasi ka siguruar finalen, ku përsëri për kundërshtar e ka Velesin, ndërsa ndeshja do të luhet në Strumicë me 28 Maj.